Transmetuar më 20-11-2024, 23:44

Gjithçka ndodh në 15 sekonda! Këto janë momentet kur vritet Klaudio Prendi, autorët i shkojnë te makina dhe e qëllojnë.

Ngjarja e rëndë ndodhi natën duke gdhirë dita e martë 19 nëntor në Tiranë kur Klaudio Prendit u ekzekutua me 5 plumba rreth orës 00:36.

Në video shihet momenti kur Klaudio del nga lokali ku ndodhej në rrugën “Xhanfize Keko”, në zonën e njohur si “Xhamlliku” dhe hip në makinën e tij tip “G Class” të parkuar para lokalit.

Sapo Prendi hipën në makinë, autorët i shkojnë paralel me një Audi duke e qëlluar me armë me silenciator dhe largohen nga vendngjarja.

Miqtë e viktimës, sapo shikojnë ngjarjen e rëndë, vrapojnë drejt Klaudio Prendit për t’i ardhur në ndihmë. Ata e dërgojnë me mjetin tip G Class në spitalin e Traumës, por i riu nuk mundi që të mbijetojë.

Shokët e tij, të cilët janë edhe efektivë policie, kanë deklaruar se ishin me të para se të ndodhte ngjarje, por nuk ishte i shqetësuar dhe nuk ka treguar për ndonjë problem.

Ata kanë treguar se qëndruan së bashku për rreth dy orë në një bar kafe në zonën e Xhamllikut në Tiranë, e më pas kanë lëvizur në drejtime të ndryshme.

“Kur po shkonim te makinat tona, dëgjuam për ngjarjen, nuk pamë asgjë”, kanë deklaruar miqtë e tij.

Rreth një orë pas atentatit, policia gjeti një makinë tip “Audi A4” të djegur në afërsi të Liqenit të Farkës.

Gjatë kontrollit të makinës qe u dogj në Farkë, efektivët kanë gjetur edhe armën e llojit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët.

Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet e Prendit për shkak të një shume parash që e kishte borxh.

30-vjeçari dyshohet se kohët e fundit kishte përplasje me persona të tjerë për borxhe. Viktima kishte borxh afro 15 mijë euro.

Madje ditët e fundit Prendi kishte patur përplasje pasi nuk kishte kthyer borxhet dhe ishte konfliktuar me grushte me disa persona të tjerë.

Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por jo deri sa të përfundonte në atentat.

Makina luksoze që përdorte viktima nuk ishte në emër të tij, por të një vajze.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit