Vendi i fundit në grup, zbritja një ligë më poshtë, zhgënjim total. Në këtë përmblidhet e gjitha çfarë ndodhi në Ligën e Kombeve me kuqezinjtë tanë, të cilët duhet të gjejnë forca e të ndryshojnë kurs për eliminatoret e Botërorit 2026.
Trajneri Sylvinho kërkoi t’i ndante përgjegjësitë me të gjithë, teksa u shpreh pas ndeshjes së mbrëmshme me ukrainasit: “Pësuam një gol në minutën e 4-t dhe më pas në minutën e 9-të, kjo gjë të vret. Nuk duhet të pësohen të tillë gola, na ka ndodhur edhe me Italinë, Çekinë, Kroacinë. Duhet të përmirësohemi në këtë pjesë.
Në nivele më të ulta është më e lehtë ta kthesh rezultatin, ndërsa në të tilla nivele bëhet shumë e vështirë. Kur shkuam në Europian, shkuam për shkak se bëmë mirë të gjithë së bashku, ndërsa sonte kemi bërë keq të gjithë së bashku. Duhet të përmirësohemi të gjithë së bashku.
U kualifikuam duke qenë të parët në grup, sot me një barazim mund të kishim qenë në vendin e dytë. Kemi grumbulluar 7 pikë në një grup të vështirë, ndoshta në një grup tjetër, mund të kishim kaluar. Sidoqoftë, duhet të mësojmë nga kjo situatë, të përmirësohemi në të ardhmen.
Nuk mund të bënim zëvendësime të tjera, në pjesën e dytë kemi bërë ndryshimet e duhura. Laçi edhe në Europian luajti pak djathtas. Të rikthesh rezultatin në një ndeshje të tillë, në nivele kaq të larta, është shumë e vështirë.
Nisja e keqe e ndeshjes? Ky është një proces, duhet të rritemi. Duhet të përmirësohemi nëse duam të ecim përpara. Duhet të ri-analizojmë se çfarë ka ndodhur në këto ndeshje. Nuk duhet lejuar të pësosh gola kaq herët. Nëse do të kishim qenë në një grup tjetër, me 7 pikë do të kishim pozicion më të mirë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd