Florida Doçi është një tjetër histori suksesi si shqiptarja që ka arritur të bëhet pjesë e një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë, Microsoft. Ajo u largua nga Shqipëria 15 vite më parë, kur mbaroi shkollën e mesme në Tiranë. Ndërsa studimet e larta i ka përfunduar në universitetin e Windsor të Kanadasë në dy fusha; Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike e Bioteknologji. Më vonë ajo filloi studimet e saj Master në Shkenca Ndërdisiplinore të Shëndetit në Universitetin e Otavës. Aktualisht po kryen doktoraturën në të njëjtin universitet.
Por, në një intervistë të realizuar së fundmi, Doçi ka treguar për arritjen e saj të madhe, bashkimin me Microsoft. Lajmin për arritjen e saj e ka bërë të ditur vetë Doçi në një postim në Facebook:
Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa e emocionuar jam që t’i bashkohem Microsoft si hulumtuese kryesore, ku do të ndihmoj në integrimin e e Al në hapësirat bashkëpunuese dhe produktet e kompanisë. Microsoft ndihmon miliarda njerëz në mbarë botën të jenë produktivë, të jenë krijues, të qëndrojnë të lidhur dhe të arrijnë më shumë dhe nuk mund të mendoj për një mënyrë më të mirë për të pasur ndikim në botë dhe për të ndryshuar jetën e njerëzve, sesa përmes një produkti kaq gjithëpërfshirës. Nga kompjuteri im i parë deri te llogaria ime e parë në Hotmail (të cilën ende e përdor) nga “winks” dhe “nudges” në MSN, te telefonatat e pafundme në Skype me familjen dhe miqtë, nga detyrat e shumta në Word, projektet kërkimore të analizuara në Excel dhe prezantimet e ilustruara në PowerPoint, Microsoft ka qenë shoqërues i ëndrrave dhe ambicieve të mia gjatë jetës. Pra bashkimi me Microsoft nuk është vetëm një arritje profesionale për mua, por edhe një moment historik i jashtëzakonshëm për vajzën e vogël që u rrit pa kompjuter dhe mësoi MS Office duke vizatuar dhe memorizuar komandat. Mezi pres të shkruaj këtë kapitull tjetër të karrierës sime në Microsoft.
Aktualisht, ajo është një nga hulumtueset kryesore të Al në gjigantin teknologjik, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe implementimin e teknologjive për produktet e kësaj kompanie globale. Florida njihet gjithashtu edhe për kontributet e saj në hulumtime shkencore. Punimet e saj janë prezantuar në konferenca ndërkombëtare dhe publikuar në revista shkencore.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd