

E larguan nga Bayern Munich si kampion, edhe pse i ktheu bavarezët te fitimi i Ligës së Kampionëve pas disa vitesh. Nën emrin e tij u arrit edhe fitorja tenistike historike 8-2 ndaj Barcelonës, në periudhën e Covid-19. Në kombëtaren e Gjermanisë, gjithashtu e larguan për ta zëvendësuar me Nagelsmann.
Fatin e karrierës vendosi ta ndiqte jashtë vendit të vet, duke marrë drejtimin e Barcelonës. Deri më tani, ka pasur fillim mbresëlënës të sezonit, i cili kulmoi mbrëmë me fitoren 4-1 ndaj Bayern Munich. Pra, trajneri gjerman i tregoi ish-klubit të tij se çfarë është në gjendje të bëjë:
"Nëse mendoni për të kaluarën, nuk do të ecni kurrë përpara. E shkuara quhet e kaluar, nuk kthehet më. Tani është e tashmja dhe është më e rëndësishme. Klubet e mëdha, nëse humbasin, do të mbeten gjithmonë të mëdhenj, nuk do të ndikohen nga asgjë, sepse do ta kompensojnë atë në të ardhmen".
Duke u fokusuar te sfida e mbrëmshme, Flick nënvizoi mes të tjerash: "Ndeshja që zhvilluam meriton notën 10 për rezultatin dhe lojën. Mendoj se ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Pas golit të parë, patëm 10-15 minuta tërheqje, që na kushtuan pak. Megjithatë, ishte mirë të shihnim se skuadra rikuperon dhe reagon. Kemi një ekip të ri dhe është e rëndësishme ta shohim të konkurrojë në këtë mënyrë. Ne përpiqemi të luajmë më mirë në çdo ndeshje.
Bayerni është një ekip i mrekullueshëm, me lojtarë të shkëlqyer, që luajnë shumë mirë. Cilido dëshiron t’i shohë ata teksa luajnë. Ne jemi dy skuadra që kemi filozofi loje shumë të ngjashme. Nëse i fitoni këto lloj ndeshjesh, duhet të festoni. Është shumë e rëndësishme për të fituar në këtë kompeticion. Ky sukses bindës do të na japë shumë besim për ndeshjen që kemi të shtunën.
A mund ta fitojmë Champions League? Është ende herët, sezoni sapo ka filluar. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë, përgatitemi dhe mendojmë nga ndeshja në ndeshje, duke e ditur se na mbetet ende shumë për t’u përmirësuar”.
Trajneri gjerman ka lavde për Raphinha, autorin e tregolëshit ndaj Bayern Munich: "Ai është një lojtar i madh, punon shumë mirë me ekipin. Gjithmonë jep gjithçka në stërvitje dhe luan me intensitet të madh. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, e zgjidh shumë mirë presionin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
