KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me hapjen zyrtare të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në një postim në Facebook, Kurti ka uruar popullin dhe qeverinë shqiptare për hapjen e negociatave.
Kryeministri shkruan se nga ky rrugëtim i Shqipërisë do të përfitojë edhe Kosova në mësime dhe përvoja, me të cilat sipas tij do t’i afrohet më shumë Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
POSTIMI I PLOTË:
Me vendimin për hapjen e kapitujve të parë për anëtarësim në familjen evropiane, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga sot filloi një kapitull të ri e vendimtar.
I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi.
Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd