Transmetuar më 14-10-2024, 11:16

Milan dhe Matteo Gabbia janë gati të betohen për besnikëri të përjetshme ndaj njëri-tjetrit. Mbrojtësi i lindur në vitin 1999, i cili me golin e tij në derbi prishi “thatësirën” e gjatë të fitoreve të kuqezinjve ndaj Interit, në fakt së shpejti do të fillojë të diskutojë për zgjatjen e kontratës, e cila skadon më 30 qershor 2026.

Sipas “Sky Sport”, këtë javë do të ketë një takimi mes drejtuesve dhe përfaqësuesve të lojtarit. Ideja e klubit kuqezi është ta “blindojë” atë deri në vitin 2030, t’ia dyfishojë pagën aktuale prej pak më shumë se një milion euro në sezon, përfshirë bonuset.

Kjo nuk është e gjitha, pasi pas thirrjes së tij të parë në kombëtare, fundjava e ardhshme mund të sjellë edhe një kënaqësi tjetër të rëndësishme. Me dëmtimin e Calabria dhe mungesën për shkak të skualifikimit të Theo Hernandez, ai është kandidat serioz për të mbajtur shiritin e kapitenit në “San Siro”, kundër Udinese.

Trajneri Fonseca, për ta shpërblyer angazhimin dhe performancën e tij, mund ta preferojë atë si kapiten para Leao dhe Maignan, të cilët e kanë mbajtur shiritin tashmë në të kaluarën. Gabbia mbërriti te Milani në moshën 13-vjeçare, u rrit në sistemin e të rinjve kuqezi dhe bëri debutimin e tij me ekipin e parë më 24 gusht 2017, nën drejtimin e Vincenzo Montella, në Ligën e Europës.

Në sezonin pasardhës shkoi në huazim te Lucchese, më pas u kthye në bazë dhe luajti 4 sezone si lojtar zëvendësues, me disa paraqitje dhe vetëm një gol të shënuar, në Champions League kundër Dinamo Zagrebit. Në vitin 2023 ndodhi pika e kthesës, për 6 muaj huazim u nis te Villarreal.

Huazim i ndërprerë për shkak të urgjencës së mbrojtjes së Milanit. Ky rikthim i dytë te kuqezinjtë u shoqërua me një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, deri në “shenjtërimin” e këtij fillim sezoni, në të cilin tashmë është bërë titullar formacioni. Përkushtimi i tij, si dhe lidhja e fortë me fanellën kuqezi, së shpejti pritet të shpërblehen me kontratën e re.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit