Transmetuar më 12-09-2024, 11:31

Cristiano Ronaldo riktheu fazat e karrierës së tij në një intervistë të gjatë me Rio Ferdinand, duke folur gjithashtu për periudhën e fundit te Manchester United: "Kur u ktheva, isha shumë i lumtur. Isha një nga golashënuesit më të mirë dhe bëra gjëra të pabesueshme. E përfundova sezonin tim të parë me 37 gola, dola lojtari i tretë me më shumë gola në Premier League”.

Një mendim edhe për Real Madridin: “Është lloji i skuadrës që nuk dorëzohet kurrë, në çfarëdolloj presioni. Njerëzit thonë se Real Madridi ka fat në Champions League, por është çështje mentaliteti. Atje janë të përgatitur për kësi momentesh. “Bernabeu” ka një atmosferë ndryshe kur skuadrat e mëdha shkojnë atje.

Tani ka shkuar Mbappé atje, mendoj se Real Madridi do të vazhdojë të jetë i fortë, por nuk e di nëse do të jetë më i mirë se sezonin e kaluar. Vetëm Zoti e di. Ata kanë lojtarë fantastikë, një ekip fantastik. Real Madridi ka një trajner të madh. Pastaj është presidenti Florentino Perez, i cili ka qenë atje për një kohë të gjatë. Mbappé mund të jetë fituesi i ardhshëm i ‘Topit të Artë’, si Haaland, Bellingham dhe Yamal”.

Sulmuesi portugez kujton kohën e tij në “Bernabeu”: "Fitova shumë trofe me Real Madridin, fitova gjithçka. Ishte kënaqësi të luaja për atë ekip 9 sezone radhazi, ku fitova 4 Champions League. Unë e dua Real Madridin. Kur mbërrita atje isha lojtari më i shtrenjtë në histori, u gjenda nën presion nga ky fakt, por besoja në veten time. E dija që do të bëja mirë, sepse besoj në talentin tim. Isha shumë i lumtur te Real Madridi”.

Ai kishte kohë të fliste edhe për ish-shokun e skuadrës, Pepe: “Kur arrin një moshë të caktuar, çelësi është mendja jote. Nëse e trajtoni mirë trupin tuaj për një kohë të gjatë, ai do t’ju respektojë. Nëse do të luash edhe 4 apo 5 vite të tjera përtej normales, duhet të kesh një mentalitet të mirë, të kujdesesh për fizikun. Unë dhe Pepe jemi një shembull i mirë për këtë, kujdesemi shumë për veten. Jashtë fushës, Pepe ishte shumë profesionist”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit