

Dashuria nuk ka moshë për Adriano Gallianin. Drejtori i Monza, 80 vjeç, i tha “po” dje pasdite partneres së tij historike, Helga Costa, 57 vjeçe, në një ceremoni civile dhe shumë të blinduar në “Town Hall” të Monza. Kryebashkiaku i Monza, Paolo Pilotto, kremtoi martesën, ndërsa avokatja Cristina Rossello dhe Gigi Marzullo vepronin si dëshmitarë.
Galliani ka mbërritur në bashki rreth orës 16:00 dhe ka preferuar të distancohet nga kamerat e fotografët, ashtu si nusja, që iu bashkua pak minuta më vonë me një fuoristradë të zezë. Drejtori i njohur sportiv italian, për shumë vite krahu i djathtë i Silvio Berlusconi, ishte veshur me një kostum të errët, ndërsa nusja me një kostum të bardhë të rafinuar.
Ata u ngjitën në katin e dytë të bashkisë, larg gazetarëve dhe shikuesve kuriozë, ku kryebashkiaku celebroi një "dasmë të këndshme", siç e përkufizoi vetë, në prani të disa miqve të ngushtë. “Zgjedhja për t’u martuar në Monza ishte një zgjedhje e përzemërt”, – komentoi shkurt Rita Galliani, motra e dhëndrit 80-vjeçar.
Në fund të ceremonisë, kryebashkiaku Pilotto foli me gazetarët, duke pranuar se kishte “vizione të ndryshme për shumë gjëra” në krahasim me Gallianin, por se fliste të njëjtën gjuhë si ai për temën e “pragmatizmit”. Më pas shtoi: “Ai është sigurisht një person që e do ekipin e Monza, të gjithë e shohim këtë, por edhe qytetin e Monza, siç e dëshmoi zgjedhja për t’u martuar këtu”.
Çifti më pas u drejtua në “Villa Gernetto” në Lesmo për festimet, ku morën pjesë të tjerë "besnikë" të Silvio Berlusconit dhe miq të vjetër, duke përfshirë Marcello Dell’Utri, Fedele Confalonieri, Flavio Briatore, Massimiliano Allegri.
Kjo me Helga Costa nuk është hera e parë në altar për Adriano Gallianin. Nga martesa e tij e parë pati tre fëmijë; Micol, Gianluca dhe Fabrizio. Më pas, në vitin 1989, u martua me Daniela Rosati, fytyrë e njohur në televizionin e asaj kohe. Martesa e tyre zgjati 10 vite, deri më 1999.
Pas divorcit nga Rosati, Galliani u rimartua në vitin 2004 me Malika El Hazzazi, një modele me origjinë marokene, por u divorcua 4 vite më vonë. Në vitin 2011, Helga Costa mbërriti në jetën e menaxherit nga Brianza dhe që atëherë fatet e tyre nuk janë ndarë më.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
