Marash Kumbulla u shpreh se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e vështirë, por theksoi se kombëtarja kuqezi do të futet në fushë vetëm për fitore. Mbrojtësi i huazuar në La Liga këtë sezon, tek Espanyol, pasi nuk pati hapësira aktivizimi te Roma, tregoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe se ekipi është gati për ndeshjen ndaj Ukrainës.
Dy ndeshjet e shtatorit – “Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar. Me Gjeorgjinë kemi edhe tifozët, pasi do të luajmë në shtëpinë tone”.
Përgatitjet për dy ndeshjet e para në “Nations League” – “Besoj se grupi është gati, jemi stërvitur me intensitet. Jemi gati për të dyja ndeshjet. Ukraina ka ekip shumë të fortë, ka lojtarë të mirë, por edhe ekipi ynë ka cilësi. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe e vështirë, shpresojmë që të fitojmë”.
Ndeshja ndaj Gjeorgjisë dhe objektivi i Shqipërisë në “Nations League” – “Tifozët kuqezinj do të na mbështesin si gjithmonë, ashtu si në Europianin e Gjermanisë, por edhe në shtëpi, në Tiranë. Edhe ndeshja ndaj Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, por me mbështetjen e tifozëve do të jetë më e thjeshtë. Objektivi është gjithmonë për të fituar”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd