Transmetuar më 26-08-2024, 08:48

Spektakël, gola dhe “dramë’ e vërtetë në stadiumin “Loro Boriçi”. Vllaznia vendëse nuk shkoi më larg se barazimi 2-2 ndaj Tiranës, por tifozët e të dyja skuadrave mbetën të kënaqur nga dëshira e madhe për fitore, e shpalosur nga lojtarët në fushë. Një ndeshje vërtet e luftuar nga fillimi deri në fund.

Bardheblutë kryeqytetas kaluan dy herë në epërsi momentale, falë golave të Jarmouni dhe Ismajli, por shkodranët barazuan me të njëjtin sulmues, Bekim Balaj, në njërin rast nga pika e penalltisë. Trajneri Bledi Shkëmbi bëri analizën e tij mbi atë që ndodhi, pas ndeshjes:

“Më e rëndësishmja është se jam i kënaqur me ekipin, bëmë maksimumin. Kishte gabime në lojë, por çdo ndeshje ka dhe do të ketë gabime. Jam i kënaqur me luftën, me mënyrën si kërkuam ta fitonim ndeshjen. Ndoshta edhe fati i keq bëri të pësojmë ato gola.

Nuk ndiej presion. Skuadra duhet të bëjë atë që bëri, mund ta administronim më mirë avantazhin. Ishte fati i keq me atë top karambol që prodhoi penalltinë pastaj. Ndodh në futboll, shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të kemi më shumë kujdes, por edhe pak fat.

Unë nuk ndiej asnjëlloj presioni nga presidenti dhe drejtori. Të gjithë jemi bashkë, kemi dëshirë për të bërë më të mirën. E shoh që skuadra më përgjigjet, vrapon dhe lufton. Sot shënuam dy gola dhe kjo është e rëndësishme.

Merkatoja? Po mundohemi të bëjmë edhe ndonjë afrim, por nuk po gjejmë të duhurit. Nëse do t’ia arrijmë, do të ishte i mirëseardhur. Kushdo që vjen te Tirana duhet të bëj diferencën”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit