Magazinë
Transmetuar më 24-03-2025, 22:42

Tiranë, 24 mars 2025 – Kombëtarja shqiptare ka arritur fitoren e parë në kualifikueset për Botërorin 2026, duke mundur Andorrën me një goleadë të pastër 3-0 në një ndeshje të dominuar nga kuqezinjtë. Pas humbjes ndaj Anglisë në Wembley, Shqipëria është rikthyer fuqishëm, duke e shfrytëzuar maksimalisht mundësinë për të marrë tri pikët e para në këto eliminatore.

Ndeshja ka nisur vrullshëm për Shqipërinë, që ka kërkuar menjëherë të imponojë lojën e saj. Minuta e 9-të sjell golin e avantazhit për kuqezinjtë, kur një goditje dënimi nga e djathta e krosuar perfekt nga Asllani gjen sulmuesin Rey Manaj, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë.

Në minutën e 20, Shqipëria gjen edhe golin e dytë pas një aksioni të shkëlqyer. Armando Broja merr një top të shpërndarë nga e djathta, kalon mbrojtësin e Andorrës dhe e dërgon topin për Manaj, i cili nuk fal dhe e çon rezultatin në 2-0. Ky gol i dyti për Manajn i ka dhënë një kuptim më të madh fitores, duke e çuar sulmuesin e Sivasspor në 10 gola me fanellën kuqezi, duke barazuar legjendat Sokol Kushtan dhe Igli Taren.

Shqipëria kontrolloi lojën në 45 minutat e para, me Andorrën që mundi vetëm të mbrohej. Asllani tentoi dy herë nga distanca, por pa mundur të gjejë golin. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 2-0 për Shqipërinë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria ruajti ritmin e saj të lartë dhe vazhdoi të dominojë në lojë. Rey Manaj u afrua sërish tek goli, por fatkeqësisht, nuk arriti të shënonte. Ndërkohë, Myrto Uzuni zëvendësoi Armando Brojën dhe pati mundësinë të kontribuonte, ku në fund të ndeshjes shënoi golin e tretë për të vulosur triumfin 3-0.

Fitorja e parë në këto eliminatore e ngjit Shqipërinë në vendin e dytë në Grupin K pas dy ndeshjeve të para. Me tri pikët e fituara, ekipi i trajnerit Sylvinho tashmë e ka mendjen tek ndeshja e radhës e shumëpritur ndaj Serbisë në qershor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit