Magazinë
Transmetuar më 21-03-2025, 11:06

Ndërsa Interi pret të vlerësojë dëmtimin muskulor që e detyroi Lautaro Martinez të largohet nga grumbullimi i Argjentinës, klubi zikaltër ka publikuar një fragment të ri nga dokumentari "In Arte Lautaro", e realizuar nga “Inter Media House”.

Në këtë episod, Lautaro foli për Botërorin 2022, një kompeticion që, megjithëse u mbyll me triumfin e Argjentinës, për të ishte plot sfida. Pas debutimit si titullar kundër Arabisë Saudite, ku iu anuluan dy gola, ai humbi vendin në formacion ndaj Julian Alvarez. Megjithatë, la gjurmën e tij në çerekfinalen kundër Holandës, duke shënuar me qetësi penalltinë vendimtare në lotarinë e 11-metërshave.

"Të fitosh një Botëror është gjithmonë diçka speciale, shumë e bukur dhe shumë e vështirë, edhe për gjithçka që kam përjetuar gjatë atij turneu. Ndonjëherë këto gjëra nuk shihen", – u shpreh Lautaro, i përlotur.

Emocioni i tij lidhet me vështirësitë fizike me të cilat përballoi kompeticionin: "Shkova në Botëror me një kyç të tillë, – tha ai, duke bërë me shenjë për një problem të dukshëm fizik. – Gjithmonë kam dashur të jem në fushë dhe të stërvitem. Mungesa në Botërorin e Rusisë ishte një goditje e rëndë për mua. Të mbërrija në Katar në ato kushte nuk ishte ajo që doja. Si në jetën private me fëmijët e mi, ashtu edhe në fushë, gjithmonë jap gjithçka".

Një rrëfim që tregon anën më njerëzore dhe luftarake të kapitenit zikaltër, simbol i sakrificës dhe vendosmërisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit