

Do të rinovojë me Bayern Munich apo do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit? Vendimi për të ardhmen e Leroy Sané po afron, ndërkohë që së fundi tregoi performancë të shkëlqyer kundër Hoffenheim (5-0).
Me një dygolësh në ndeshjen e tij të 183-të në Bundesliga, Sané konfirmoi formën në rritje. Në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit gjerman, sulmuesi 29-vjeçar ka realizuar 4 gola, duke shtuar pikë për një rinovim të mundshëm me klubin bavarez.
Pas ndeshjes, Sané u shpreh për “Sky Sports DE”: "Performanca ime? Shumë e mirë me dy golat e shënuar. Sidoqoftë, më e rëndësishme është se u sollëm si ekip. Ky është sporti: kur luan mirë, të lavdërojnë; kur nuk shkon mirë, mund të përballesh me disa kritika.
Në fund të fundit, gjithmonë përpiqem ta ndihmoj ekipin dhe të tregoj performanca të mira. Jam i pari që nuk jam i kënaqur kur nuk luaj mirë dhe nuk mund ta ndihmoj ekipin. Përpiqem ta ruaj këtë moment pozitiv".
Ish-ylli i Bayernit, Lothar Matthäus, komentoi performancën e Sané: "U pa sa i lumtur ishte, u çlirua nga një barrë e madhe. Pamë çfarë është i aftë të bëjë. Kjo është ajo mbi të cilën do të gjykohet. Nëse vazhdon të japë performanca të ngjashme çdo javë, Bayerni ndoshta do të ndryshojë mendje dhe nuk do të dojë ta humbasë pa asnjë dëmshpërblim.
Ai ka cilësi, por e shfaq shumë rrallë. Së fundi tregoi çfarë pritet prej tij, çfarë pres unë dhe çfarë kërkon Bayerni të shohë. Për këtë arsye vazhdojnë të besojnë tek ai, edhe pse herë pas here ka rënie në formë. Cilësitë i ka, javët e ardhshme do të tregojnë se si do të zhvillohet karriera e tij".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd