Një kthesë e papritur mund të ndodhë në “telenovelën” mbi të ardhmen e Alphonso Davies, mbrojtësit kanadez të Bayern Munich, i cili ka kontratë deri në qershorin e ardhshëm dhe prej kohësh është në negociata për rinovimin.
Pas zërave që e lidhnin me një kalim te Real Madridi, më pas te Manchester United dhe Liverpool, duket se lojtari i lindur në vitin 2000, me origjinë nga Gana, mund të vazhdojë të qëndrojë në Bavari. Agjenti i tij pritet të mbërrijë në qytet për një takim me klubin gjerman, duke rritur mundësitë e rinovimit.
Trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, në një konferencë për shtyp foli për rëndësinë e Davies për ekipin: "Sa i përket aspektit sportiv, kontributi i Davies në lojën tonë është i qartë. Është një lojtar që vazhdon të përparojë dhe performanca e tij është thelbësore për ne. Jam i bindur se do të përmirësohet edhe më shumë. Ajo që bën tani është shumë e mirë, por në të ardhmen do të bëhet edhe më i mirë".
Gjatë të njëjtës konferencë për shtyp, Max Eberl, drejtori sportiv i Bayernit, komentoi mbi situatën e Davies: "Nuk është sekret që po bisedojmë me agjentët e lojtarëve, të cilët janë afër përfundimit të kontratës. Kemi një ndeshje të shtunën, prandaj e përjashtoj që të ndodhë diçka këtë javë.
Sidoqoftë, për një gjë jemi të gjithë dakord: nuk do ta përballojmë fazën e rëndësishme të sezonit pa një vendim të qartë (nga Davies). Të gjithë janë të interesuar që gjysma e dytë e sezonit të shkojë mirë për Bayern Munich. Ne po përpiqemi t’i kënaqim të gjitha palët".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd