SARANDË- Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia pasi vodhi një çantë me 6,000 euro në një hotel në Ksamil dhe tentoi të vidhte në një automjet të parkuar. Blutë bëjnë me dije se i arrestuari rezulton me precedent penal për vjedhje dhe ishte i shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të policisë, 37-vjeçari A. M., dyshohet si autor i 4 vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë muajit dhjetor 2024, në qytete të tjera. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera nga ky person.
Njoftimi:
Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Serial thief”. Vodhi një çantë me 6000 euro në një hotel dhe tentoi të vidhte në një automjet të parkuar, identifikohet dhe arrestohet 37-vjeçari, me precedent penal për vjedhje. 37-vjeçari dyshohet si autor i disa vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë muajit dhjetor 2024, në qytete të tjera. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit: A. M., 37 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit. Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht: -më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular; -më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd