

Simone Inzaghi, trajneri zikaltër, pas fitores 2-0 kundër Atalantës në gjysmëfinalen e Superkupës Italiane, me dy gola të shënuar nga Dumfries, foli për “Inter TV”.
A ju befasoi formacioni startues i Atalantës?
Jo veçanërisht. I komplimentova lojtarët e mi për performancën e shkëlqyer kundër një kundërshtari me vlera. E donim shumë këtë finale dhe e merituam. Mund të kishim shënuar më shumë, por pashë një përqendrim të madh.
Si mund të përmirësohet aspekti i finalizimit?
Ka gjithmonë vend për përmirësim, por pas një ndeshjeje të tillë duhet vetëm ta komplimentoj ekipin tim.
Kjo ndeshje, a ishte një tjetër provë pjekurie?
Pa dyshim. Përballuam një kundërshtar të nivelit të lartë me qasjen e duhur, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Për këtë arsye, fitorja ishte plotësisht e merituar.
Në finale ju pret një klasike e futbollit italian. Cilin rival do të donit, Milanin apo Juventusin?
Po, janë dy ekipe të mëdha të kampionatit tonë. Do të presim të dimë se kush do të jetë kundërshtari ynë. Cilido qoftë, do të përgatitemi për ta përballuar në mënyrën më të mirë.
Flitet shpesh për Interin si një familje. Sa krenar ndiheni që e drejtoni?
Jam jashtëzakonisht krenar. Në tri vite e gjysmë, këta djem kanë dhënë gjithçka, pavarësisht kalendarit të ngjeshur dhe numrit të madh të ndeshjeve. Janë të mrekullueshëm. Duhet të vazhdojmë kështu, duke u përpjekur të fitojmë sa më shumë ndeshje, sepse kjo është ajo që duam.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd