

LUSHNJE- Një e moshuar 76-vjeçare, Rabushe Kërçuku, sot banon buzë autostradës së Lushnjës në afërsi të fshatit Gramsh në njërën prej banesave të djemve. I shoqi jeton në fshat në shtëpinë e tyre të vjetër, por ai e ka dëbuar të shoqen. Rabushja tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se ka vuajtur shumë duke rritur 7 fëmijë dhe e pajisur me dhjetëra urdhra mbrojtjeje prej bashkëshortit pasi ky i fundit e ka dhunuar vazhdimisht.
E moshuara banon në një nga banesat e djemve, pasi këta të fundit janë në Greqi. Por ajo pretendon se nusja e shtëpisë sa herë kthehet nga emigrimi, e dhunon pa mëshirë. Në një video të siguruar, shfaqet nusja që i bën presion vjehrrës që të flasë mirë se do të shohë djali.
Nusja: Mami, thuaj Artit ( djalit) “natën e mirë”, që të iki unë të fle gjumë rehat, se më keni shqetësuar tmerrësisht!
Rabushe Kërçuku: Ik fli gjumë.
Nusja: Të vete të fle gjumë?
Rabushe Kërçuku: Ik!
Nusja: Kë more ti sot, kur ka marrë vesh Arti në Greqi, nuk e di çfarë i ke thënë, çfarë të vjen, mos të them nga këmbët, por nga by…, i nxjerr nga goja?
Rabushe Kërçuku: Nuk kam marrë asnjë.
Nusja: Nuk ke marrë asnjë?
Rabushe Kërçuku: Nuk kam marrë asgjë se më ka humbur bateria.
Nusja: Çfarë i kanë thënë ato gocat e tua të bukura, që nuk e duan nënën? Unë s’kam detyrime te ti, kam te fëmijët e mi.
Deri tani zonja Rabushe nuk ka kryer denoncim në polici për nusen e djalit pasi ka frikë se kur të kthehet përsëri, ajo do ta dhunojë edhe më rëndë. Ka kryer disa ekzaminime që tregojnë thyerje serioze të gishtave.
Pas ndërhyrjes së “Stop”, u vendos kryerje e ekspertimit mjeko-ligjor dhe shoqërimi në spital i së moshuarës. Ndërsa vetë policia iu drejtua gjykatës për pajisje me urdhër mbrojtjeje ndaj nuses së djalit, duke e shpallur këtë të fundit në kërkim për akuzën e dhunës në familje. Ky rast u referua në prokurori./ TV Klan
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





