

TIRANË – Erion Veliaj del nga SPAK pas 5 orësh dëshmie, qytetarë protestojnë jashtë godinës
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pas një qëndrimi prej afro pesë orësh. Ai mbërriti në institucion rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe doli nga godina rreth orës 14:00, pa dhënë deklarata për mediat. “Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak live,” u shpreh shkurtimisht Veliaj, duke shmangur pyetjet e gazetarëve.
Gjatë kohës që ai dëshmonte para prokurorëve, jashtë godinës së SPAK-ut ishte mbledhur një grup qytetarësh protestues, që mbanin pankarta dhe kërkonin largimin e tij nga posti. Në momentin e daljes së kryebashkiakut, efektivët e njësisë “Shqiponja” formuan një kordon sigurie për të shmangur përplasjet mes protestuesve dhe eskortës së tij.
Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Veliaj thirret nga SPAK. Më 24 dhjetor ai ishte ftuar për t’u marrë në pyetje, por kërkoi shtyrjen e seancës për ditën e enjte, kërkesë që u pranua nga prokurorët.
Ngjarja vjen pas zhvillimeve të fundit në hetimin pasuror dhe penal që po kryen SPAK ndaj kryebashkiakut dhe personave të lidhur me të. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, u mor në pyetje për rreth tre orë mbrëmjen e së hënës, në kuadër të hetimeve mbi pasuritë dhe aktivitetet financiare të familjes Veliaj.
Të martën, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankesën e avokatëve të Xoxës dhe kunatit të saj, Arbër Veliaj, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së që lejoi kontrollin në banesat dhe zyrat e tyre.
Ndërkohë, mëngjesin e 6 dhjetorit, me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së Veliajt, ku më herët ishte sekuestruar edhe telefoni i saj personal. Po atë ditë, kontrolle u kryen edhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut.
Edhe pse SPAK nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi ecurinë e hetimeve, mësohet se procedimi penal lidhet me dyshimet për pasuri të pajustifikuara, si dhe me hetimin për inceneratorin e Tiranës dhe për kompaninë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
Në reagimin e tij të mëparshëm, Veliaj ka deklaruar se mbështet çdo hap të Prokurorisë, duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






