Pas disa ditësh të vështira me polemika dhe një tjetër barazimi në kampionat, situata duket më pozitive te Juventusi. Katër golat ndaj Cagliarit në Kupën e Italisë janë një shtysë e madhe besimi, me rikthimin e Nico Gonzalez që shënoi dhe Vlahovic që la shenjën e tij. Tani në çerekfinale, bardhezinjtë i pret Empoli i D’Aversa.
"Bëmë një paraqitje të mirë, publiku është gjithmonë me ne, – tha Thiago Motta për mikrofonët e “Mediaset”. – Ndonjëherë tifozët mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me respekt, por kemi nevojë për ta. Djemtë po e përballojnë këtë moment siç duhet, me përkushtim dhe punë. Kur të kthehen lojtarët e dëmtuar, do të ndihmojnë grupin dhe niveli ynë do të ngrihet".
A jeni i kënaqur me paraqitjen?
Paraqitja ishte e mirë dhe rezultati gjithashtu. Jam i kënaqur edhe për rikthimin e Nicos, i cili është një djalë fantastik. Na duhej energjia dhe cilësia e tij. Tani presim që edhe të tjerët të rikthehen dhe të na ndihmojnë, siç bëri ai.
Një mendim për McKennie dhe Locatelli në mbrojtje?
Unë kërkoj dhe shoh gatishmërinë e lojtarëve. Nuk do ta vendosja kurrë një lojtar në vështirësi, nëse nuk janë të bindur. I pyeta Weston dhe Manu çfarë mendonin, ata thanë: sigurisht që po. Luajtën dhe rezultati është ky. Ky është një demonstrim i gatishmërisë dhe kompromisit të skuadrës.
Mendimi juaj për Koopmeiners?
E shoh mirë kudo. Mund të luajë edhe si mbrojtës qendror, sepse është një lojtar i madh me qëndrim të shkëlqyer. Sot luajti me grip dhe nuk ishte 100%.
A është objektivi juaj, Kupa e Italisë?
Objektivi është të fitojmë ndeshjen e radhës. Kur të vijë momenti, do të mendojmë për të. Tani duhet të përqendrohemi te Monza, një skuadër që vendos në vështirësi edhe kundërshtarët e mëdhenj dhe drejtohet nga një trajner i shkëlqyer. Do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë.
Një mendim për Vlahovic…
E shoh gjithmonë mirë. Sonte tregoi përsëri se di të mbrojë dhe të marrë pjesë me ekipin. Bëri një tjetër ndeshje të shkëlqyer.
Sa i rëndësishëm është Conceicao?
Mund të përmirësohet shumë. Ka cilësi të rëndësishme në përballjen me kundërshtarin. Duhet të lidhet më mirë me shokët e skuadrës, Savona i dha shumë ndihmë sonte. Duhet të përmirësohet në zgjedhjet e tij, por e kuptoj, ka entuziazëm të madh. Ka hapësira të mëdha për rritje.
Sa i nevojshëm ishte një mbrëmje si kjo për Juven?
Duhet t’i qasemi çdo ndeshjeje duke dhënë maksimumin. Duhet të rritemi për të arritur rezultatet që duam. Sonte zhvilluam një lojë të mirë, ndonëse ka pasur raste kur na ka munguar diçka. Djemtë meritojnë ndihmë, sepse tregojnë profesionalizëm të madh. Luftojnë gjithmonë, kanë treguar shumë herë që dinë të përballojnë vështirësitë. Nuk kam përdorur kurrë justifikime. Tani vazhdojmë përpara, ndeshja e radhës është kundër Monza.
Pse zgjodhët Di Gregorio?
Nuk është zgjedhja ime. Ne kemi tre portierë të mëdhenj.
A mund të bëhen përfundimtare zgjedhjet e Locatellit dhe Koopmeiners?
Po dhe jo, varet nga momenti. Nëse e shoh të përshtatshme, do ta bëj. Për këtë ndeshje ishte zgjedhja më e mirë.
Çfarë mund të japë Yildiz si trekuartist?
Nuk përqendrohem te pozicioni, por te lojtari. Kenan si lojtar anësor ka bërë ndeshje fantastike, sonte bëri një ndeshje të mirë. Sigurisht mund të përmirësohet. Ai është një lojtar i madh, pavarësisht moshës së re. Lojtarët e mëdhenj mund të luajnë kudo.
Si e vlerësoni performancën e skuadrës?
Jam i kënaqur dhe krenar për atë që pashë. Ne mund të rritemi, ta interpretojmë ndeshjen siç duhet. Sonte e interpretuam shumë mirë. Ndonjëherë shkon mirë, herë të tjera jo. Kjo më jep kënaqësi të madhe, sepse të gjithë së bashku bëmë një paraqitje të shkëlqyer.
Goli më i bukur i kësaj ndeshjeje?
Të gjithë golat për mua janë të rëndësishëm dhe të bukur. Kjo është arsyeja pse e luajmë këtë lojë, për të shënuar më shumë se kundërshtari. Lojtarët po e shijojnë të luajturit bashkë. Sonte e bënë këtë. Të gjithë golat më japin gëzim të madh.
A jeni i kënaqur me përbërjen e skuadrës?
Unë dhe klubi jemi në sinkron të plotë për tregun. Jam shumë i kënaqur me skuadrën time dhe e them me zemër të hapur. Dua t’i kem të gjithë bashkë, mirë, secili duke dhënë maksimumin. Qoftë duke luajtur 1 minutë apo 90 minuta, ata mund të bëjnë diferencën. Kemi lojtarë të fortë, të cilët deri më sot nuk i kemi pasur gjithmonë së bashku. Por kjo është pjesë e lojës. Ne vazhdojmë përpara dhe në momentin e duhur do të jenë të gjithë bashkë në fushë. Douglas u kthye para disa ditësh, Nico sot, Adzic gjithashtu. Konkurrenca e shëndetshme është gjithmonë e mirë dhe na ndihmon të përballemi me çdo ndeshje në maksimum.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd