Ronaldo Nazario da Lima ka bërë pothuajse gjithçka në botën e futbollit. Nga një sulmues i jashtëzakonshëm u kthye në sipërmarrës, ku një nga projektet e tij ka qenë drejtimi i Real Valladolid, klubit spanjoll të futbollit, si pronar. Ai e ka bërë këtë edhe me Cruzeiro në Brazil.
Tani, me Valladolid prej kohësh në shitje, “Il Fenomeno” ka ndërmarrë një sfidë të re: të bëhet president i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF). Këtë ambicie e ka shpallur në “Globo Esporte”, ku ka thënë:
“Ky njoftim është për të dërguar një mesazh te presidentët e federatave dhe klubeve. Jam kandidat për presidencën e CBF. Kam plane të pabesueshme dhe, para se të angazhoheni për të votuar, do të doja të zhvilloja biseda personale me secilin prej jush. Do të udhëtoj drejt Brazilit për këtë.
Kam qindra arsye për këtë vendim, por më e madhja është që futbolli brazilian të rikthehet si dikur në majë, të jetë i respektuar në nivel botëror. Ajo që më ndodh më shpesh në rrugë është që njerëzit më ndalojnë dhe më kërkojnë të rikthehem të kontribuoj, sepse situata e kombëtares nuk është më e mira, as brenda dhe as jashtë fushës”.
Së fundi, në lidhje me shitjen e Valladolid, ai tha: “Jemi duke negociuar dhe pritet ta mbyllim marrëveshjen shumë shpejt. Kjo nuk do të jetë një pengesë për kandidaturën time”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd