

Sot në Ndroq të Tiranës ka ndodhur një ngjarje tronditëse, ku është ekzekutuar 50-vjeçari Alfred Dedja, i njohur si “Daku”, ndërsa autori i dyshuar është 27-vjeçari Julian Gjoshi. Dyshohet se arsyeja e vrasjes mund të lidhet me konflikte të mëparshme dhe pazare droge, por kjo nuk është pista e vetme që po hetohet.
Alfred Dedja dhe Julian Gjoshi kishin njohje të hershme dhe, sipas dëshmive paraprake, pas një takimi të rastësishëm në një lokal, Dedja është afruar për ta përqafuar Gjoshin, por ky i fundit ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar për vdekje. Pas hetimeve, është konfirmuar se një pistoletë është gjetur edhe në trupin e viktimës, duke sugjeruar se ai mund të ketë pasur një mundësi për t’u mbrojtur.
Alfred Dedja
Ngjarja është bërë më e ndërlikuar për shkak të lidhjeve të thella që kanë pasur të dy protagonistët. Julian Gjoshi, autori i dyshuar, është kunati i Altin Hajrit, një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për një sërë ngjarjesh kriminale. Altin Hajri është i lidhur ngushtë me komplekse luksoze dhe mund të ketë lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, një ngjarje e shoqëruar me akuza për tregti droge.
Nga ana tjetër, viktima, Alfred Dedja, ka qenë menaxher në kompleksin “Golden” në Shijak, një hotel luksoz që ka qenë në qendër të hetimeve nga “OFL”, ku dyshohet se janë ndodhur ngjarje kriminale dhe ekzekutime, duke përfshirë vrasjen e Jan Prengës.
Në hetimet për vrasjen e Dedjas, grupi hetimor po shqyrton disa pista, përfshirë atë të përfshirjes në aktivitete kriminale dhe mundësinë e konflikteve të tjera mes autorit dhe viktimës. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë mundur të zbardhin të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka filluar kërkimet për gjetjen e Julian Gjoshit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd