Transmetuar më 01-12-2024, 11:52

SERBIA- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.

"Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiç duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili e akuzoi Serbinë për “dirigjimin” e këtij sulmi “terrorist dhe kriminal”. Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se, derisa kjo të përfundojë, publiku nuk do të njoftohet ose "të fajësohet dikush tjetër" dhe tha se është i gatshëm të ofrojë bashkëpunim me të gjithë, përfshirë edhe për Prishtinën zyrtare. Autoritetet kosovare të sigurisë njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Vuçiç i akuzoi autoritetet kosovare se arrestuan “njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë arsye shtatë prej tyre u liruan”.

“Kështu nuk zhvillohen hetime serioze, gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai./ REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit