Kanë kaluar 18 vite që nga fitorja e Italisë në Kupën e Botës kundër Francës. Një ndeshje e cila, përveç suksesit italian, mbahet mend për gjestin e bujshëm të Zinedine Zidane, i cili e goditi me kokë Marco Materazzi dhe u ndëshkua me karton të kuq gjatë kohës shtesë të pjesës së parë.
Ish-mbrojtësi i Interit, në një intervistë për “Lucky Block”, ka komentuar sërish mbi incidentin që shkaktoi shumë polemika. Materazzi ka zbuluar se nuk ka folur kurrë me legjendën franceze, i cili e mbylli karrierën e tij pikërisht në atë ndeshje historike:
"Nuk kam folur më me Zinedine Zidane që nga ajo ditë. Nuk kisha folur me të as më parë, nuk kam folur më as pas asaj goditjeje me kokë. Ne nuk kemi asnjë marrëdhënie. Ai është një legjendë e futbollit, kam shumë respekt për të, si lojtar dhe si trajner. Ka fituar tre Champions League radhazi".
Materazzi gjithashtu la të hapur mundësinë e një takimi të mundshëm me Zidane për të diskutuar mbi episodin e famshëm: "Do të isha i lumtur të flisja me të".
Ish-lojtari i Interit dëshiron ta mbyllë këtë cikël dhe të vendosë një herë e përgjithmonë paqen me francezin, duke shpresuar se do të mund të flasë me Zidane në të ardhmen: "Nuk kërkoj më falje, por do të isha i lumtur të flisja me të tani që kanë kaluar kaq shumë vite. Nuk do të kishte asnjë problem".
Kjo thirrje lë hapur mundësinë që ish-trajneri i Real Madridit të pranojë një përballje me Materazzi, ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani, siç ka treguar vetë italiani.
“Zizou” e ka trajtuar këtë temë dy vite më parë, gjatë një interviste për “L’Equipe”, me rastin e 50-vjetorit të tij: "Në një fushë futbolli nuk ishte hera e parë që ndodhnin ofendime. Të gjithë flasin mes tyre, ndonjëherë keq, por ti nuk bën asgjë. Aty, atë ditë, ndodhi ajo që ndodhi.
Ai provokoi diçka duke folur për motrën time, Lila. E humba toruan dhe reagova në atë mënyrë. Nuk jam krenar për atë që ndodhi, por është pjesë e udhëtimit tim. Në atë kohë isha më i dobët. Ndonjëherë janë momente si këto kur mund të bësh diçka gabim".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd