TIRANË- Deputetja demokrate Ina Zhupa ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu, pasi një nxënës humbi jetën pas një sherri me thika në shkollën Fan Noli.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa theksoi se kjo ngjarje e rëndë rrëzon propagandën e qeverisë për sigurinë në shkolla.
"Një 14-vjeçar sapo ka humbur jetën, pasi është vrarë më thikë në derën e shkollës “Fan Noli”.
Dua t’i shpreh ngushëllimet familjes, por dua të kuptoni se sa false dhe jashtë realiteti është projektbuxheti që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla.
Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangi sherrin me thika në oborrin e shkollës.
Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe ministrja shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë, por nuk e di ku e kanë arkivuar paketën bashkë me këtë ministrin e ri, Hoxha, që di të sjellë vetëm policinë për t’u përballur me deputetët dhe nuk e ka policinë për të mbajtur fëmijët tanë," tha Zhupa.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd