Një 30 vjeçare shqiptare akuzohet që së bashku me vëllain dhe partnerin e saj italian ka shfrytëzuar dhe dhunuar të birin 14 vjeçar për të shitur drogë në një park lojërash në Mantova të Italisë.
Policia nisi hetimet muaj më parë kur 30 vjeçarja, së bashku me dy fëmijët e saj, u ndalua në sheshin e lojërave, me një pistoletë me numër serial të fshirë, si dhe disa gramë kokainë dhe hashash.
Hetimet, të cilat filluan menjëherë, zbuluan aktivitetin e trafikut të drogës të 30 vjeçares së bashku me të vëllain 27 vjeçar dhe partnerin e saj italian. Të tre dyshohet gjithashtu se me kërcënime dhe dhunë e kanë shtyrë djalin që të shpërndante kokainë dhe hashash për ta dhe të mblidhte të ardhurat.
14-vjeçari iu besua disa familjarëve, të cilët i ofruan garancitë e nevojshme për t’i dhënë mbrojtje dhe dashuri. Ndërsa nëna, e cila do të duhet të përgjigjet edhe për krimin e abuzimit të fëmijëve, përfundoi në burg së bashku me vëllain dhe partnerin e saj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd