Polemikat mes Real Madridit dhe “France Football” nuk shuhen, pasi “Los Blancos” vendosën ta braktisnin ceremoninë e së hënës në Paris, pasi u bë e ditur se Vinicius nuk do të ishte fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2024 (e fitoi Rodri, mesfushori spanjoll). Vincent Garcia, kryeredaktor i të përjavshmes francize, që organizon çmimin prestigjioz, sqaroi situatën.
Para së gjithash, Garcia shpjegoi arsyen pse sulmuesi i Real Madridit e humbi duelin me Rodrin: "Vinicius me siguri vuajti nga prania e Bellingham dhe Carvajal në ‘top 5’, sepse matematikisht kjo i mori disa pikë. Kjo përmbledh edhe sezonin e ‘Los Blancos’, të cilët kishin tre deri në katër lojtarë në garë për çmimin e madh. Kësisoji, anëtarët e jurisë i ndanë vendimet mes tyre, gjë nga e cila përfitoi spanjolli”.
Kryeredaktori i “France Football” më pas zbuloi disa detaje të rëndësishme: “Kam marrë shumë presion nga Real Madridi, por, siç ndodh me klubet e tjera, kam qenë gjithmonë i qartë dhe i drejtë. Ndoshta heshtja ime i ka çuar ata në limite. E njëjta sjellje ishte edhe me të tjerët, ne ishim shumë të qartë me të gjithë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd