FIERI- Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një takim në Fier rreth marrëveshjeve që kanë arritur me disa shtete për njohjen e pensioneve, duke thënë se më e vështira ka qenë me Italinë. Rama tha se pjesa e fundit është lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën tha se janë në diskutime. Ai shtoi se kjo do të kërkojë kohën e vet.
“Sot që flasim kemi arritur të lidhim marrëveshje mbi 20 shtete. Më e vështira ishte ajo me Italinë. Gjë që bën të mund që të gjithë ata që dalin në pension, të mund të përfitojnë nga sigurimet shoqërore që kanë paguar në atë vend. Pjesa e fundit është lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën jemi në diskutime. Do të kërkojë kohën e vet jo për shkakun tonë, por për shkak se ka një peshë të rëndësishme financiare”, tha Rama.
Rama u ndal dhe te mos deklarimi i sigurimeve shoqërore, duke e cilësuar si problem serioz.
“Një arsye tjetër që është po kaq e rëndësishme, është se vazhdojmë të kemi një problem serioz me shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Këtu është koha për të bërë një përpjekjet të fuqishme nga ana jonë, sepse jemi në kushtet që rritja ekonomike na e ka mundësuar për të folur se çfarë duhet të bëjmë konkretisht”, tha Rama.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd