

Lëndim i rëndë për lojtarin e Real Madridit, Dani Carvajal, në një përplasje të minutave të fundit të ndeshjes kundër Villarrealit. Shkalla e dëmtimit është bërë e ditur nga vetë lojtari, i cili ka publikuar postim me një foto të realizuar direkt nga ambulanca:
“Konfirmohet një dëmtim i rëndë në ligamentin kruciat, më duhet të shkoj në sallën e operacionit dhe të qëndroj jashtë fushës për disa muaj. Tani po mendoj kohën e rikuperimit, kam besim se do të kthehem si një bishë. Ju faleminderit shumë për mesazhet tuaja, ndihem shumë i dashuruar”.
Në një përplasje me Yeremy Pino, spanjolli pësoi një hiperekstension të gjurit të tij të djathtë, pasi këmba i mbeti e lidhur me atë të kundërshtarit. Lojtari i Real Madridit u largua nga fusha me barelë.
Rinovimi – Pikërisht në ditën kur u konfirmua se Dani Carvajal pësoi një dëmtim të rëndë, duke e mbyllur këtu sezonin, Real Madridi njoftoi rinovimin e tij deri në vitin 2026. Kontrata në fuqi i skadonte më 2025, por “mbreti i Europës” nuk do ta linte legjendën e vet në mëshirë të fatit…
Në këtë mënyrë, lojtari do të përqendrohet vetëm në rikuperimin e tij dhe nuk do të duhet të shqetësohet për negociatat mbi të ardhmen. Kështu sillet klubi më i madh i të gjitha kohërave, kjo është madhështi e pastër.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
