Magazinë
Transmetuar më 19-09-2024, 14:06

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila shpalli të pafajshëm ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, dhe pesë ish-vartësit e tij. Të gjithë këta persona akuzoheshin nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për abuzim me një tender për blerjen e druve, një procedurë që kishte vlerën 9.2 milion lekë në vitin 2017.

SPAK kishte ngritur akuza ndaj Kaprit dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano, duke pretenduar se ata kishin favorizuar një nga kompanitë që garonte për tenderin.

Përveç akuzës për abuzim me tenderin, Prokuroria e Posaçme i akuzoi ata se në 28 qershor 2019, në tre shkolla dhe një kopsht, ishin kapur në flagrancë nga policia duke mbyllur me çelës këto institucione, të cilat ishin miratuar si qendra votimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), më datë 19.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 4/60 akti, datë 09.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduart Kapri për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduart Kapri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Avdulla Canon për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Nexhmi Torro për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës Enkeleida Kllomollari për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.

5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Safet Blaceri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.

6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Gurali Blaceri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.

7. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit në themel, në bazë të neneve 393 të Kodit të Procedurës Penale, i ngarkohen palëve sikurse i kanë kryer.

8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit