Magazinë
Transmetuar më 11-09-2024, 07:11

U mundua të kishte në dorë “frenat” e mesfushës kuqezi, tentoi edhe nga një goditje dënimi në pozicion të favorshëm, por gaboi. Kristjan Asllani pranon lodhjen, që u ndie ndaj Gjeorgjisë, në humbjën 1-0 të tanëve në “Arena Kombëtare”:

“Jam shumë i lodhur, më mungojnë minutat, kam bërë 2 ndeshje të plota me kombëtaren në 3 ditë. Kundërshtari ishte shumë i fortë dhe i shpejtë. Ishte e vështirë ndaj tyre, luanin me 5 mbrapa. E pata të vështirë ta gjeja Manajn me topa ta gjatë, linja e tyre e pasme ishte e fortë. Do ta kenë vështirë të gjitha skuadrat t’i shënojnë Gjeorgjisë.

Mënyra jonë e lojës? Këtë e vendos trajneri. Bajrami sot ishte mbrapa sulmuesit. Kishim më shumë probleme kur topin e zotëronte Gjeorgjia. Unë dhe Ramadani dolëm 2-3 herë blof, ishte ndeshje shumë e vështirë. Në pjesën e dytë ndërmorëm 2-3 kundërsulme, por erdhi goli fatkeqësisht.

Kur pësuam golin, luajtëm me 2 sulmuesë. Unë luajta më shumë përpara sesa mbrapa. Në performancë ndikon edhe lodhja. Është më e thjeshtë të luash me Ukrainën, sepse luan përpara. Nuk po gjenim hapësira, e kërkova 2-3 herë Manajn, por topi shkoi jashtë.

Do të shikojmë ndeshje për ndeshje çfarë mund të arrijmë në këtë kompeticion.   Kvarën e takova, i bëra komplimentet në italisht, asgjë tjetër. E respektoj si lojtar, është shumë i fortë. Fatkeqësisht, sonte fitoi ai”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit