Transmetuar më 05-09-2024, 12:57

Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë sot drejt Pragës, aty ku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë të “Nations League”, ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”.

Dy lojtarët kuqezi, Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla, para nisjes drejt kryeqytetit çek treguan se si kanë shkuar përgatitjet, zbuluan synimet e Shqipërisë në këtë kompeticion të UEFA-s.

Laçi tha se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Prague. Mesfushori kuqezi vlerësoi dy kundërshtarët dhe shtoi se mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme:

“Ndeshja e parë me Ukrainën? Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin e ‘Nations League’. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Europian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën, sepse do të luajmë në Çeki, në stadiumin e klubit tim.

Ndeshja me Gjeorgjinë në ‘Arena Kombëtare’? Janë kundërshtarë të fortë. Edhe Ukraina, edhe Gjeorgjia ishin pjesë të Europianit të kësaj vere. Është shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë e të na mbështesin, si në Gjermani.

Do të jetë një moment i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për tifozët që do të vijnë në stadiumin ‘Arena Kombëtare’, pasi është ndeshja e parë pas Europianit. Kemi shumë nevojë për tifozët, për mbështetjen e tyre, si ndaj Gjeorgjisë, edhe në ndeshjet e tjera”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit