Transmetuar më 05-09-2024, 11:26

Lazio ka publikuar listën zyrtare të lojtarëve që do të jenë në dispozicion të trajnerit Marco Baroni për kampionatin e ri të Serie A dhe “Europa League”. Sa i takon përfaqësimit kontinental, në fazën e parë të Ligës së Europës, bardhekaltrit do të përballen me Nice, Dinamo Kiev, Twente, Porto, Ludogorets, Ajax, Real Sociedad dhe Braga.

Dy janë “senatorët”, që nuk janë përfshirë në listën e “Europa League”: Elseid Hysaj, tashmë në periferi të projektit dhe gjithashtu i përjashtuar nga lista e Serie A, si dhe Gaetano Castrovilli, i regjistruar vetëm për kampionatin italian. Këtyre iu shtohen edhe emrat e Toma Basic dhe Jean-Daniel Akpa Apro.

Në të njëjtën kohë me listën e Ligës së Europës, Lazio zyrtarizoi edhe listën e lojtarëve që mund të luajnë në Serie A. Gjithashtu, edhe në këtë rast mungon Hysaj, ashtu si edhe Furlanetto, i federuar për garat europiane. Drejtuesit i kishin kërkuar shqiptarit të gjente klub tjetër, edhe duke e lënë të lirë, por Hysaj refuzoi të largohej, duke llogaritur 2.8 milionë euro pagë në sezon dhe kontratën në fuqi.

Sikurse duket, mbrojtësi ynë kuqezi nuk mund të luajë në asnjë kompeticion të këtij sezoni, të paktën deri në janar, kur mund të shkojë në ndonjë klub tjetër. Gjatë verës ai refuzoi të largohej nga bardhekaltrit, të cilët donin të çliroheshin nga rroga e konsiderueshme e shqiptarit, ndaj këta të fundit u hakmorën duke e “fshirë” nga përbërja e tyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit