Transmetuar më 11-04-2025, 22:36

Edi Rama: Në vitin 2030 Shqipëria do të ketë gruan e saj të parë kryeministre – dhe ajo do të jetë socialiste

Tiranë, 11 prill 2025 – Gjatë një takimi të zhvilluar me gratë dhe vajzat socialiste në kuadër të nisjes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë për të ardhmen e lidershipit politik në vend. Ai u shpreh i bindur se Shqipëria do të ketë gruan e saj të parë në krye të qeverisë brenda kësaj dekade – dhe se ajo do të vijë nga radhët e Partisë Socialiste.

“Sot, Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetër grua socialiste, jam i bindur që nuk është aq e largët dita, sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të ketë edhe gruan e parë kryeministre dhe as nuk e diskutoj fare që do jetë socialiste,” – deklaroi Rama mes duartrokitjeve të të pranishmeve në sallë.

Ai më pas përforcoi: "Mbajeni mend sot këtë fjalë dhe në 2030, me ndihmën e Zotit do shikohemi përsëri se do vijmë të mbështesim kryeministren grua. Do fillojnë të gjithë tani ku, ku, do shikohemi përsëri në 2030 falë… (ja, keni parë, a mund të imagjinoni të shkoni në një takim të madh dhe një grua të fërshëllejë?)

Kjo deklaratë vjen si kulm i një fjalimi të gjatë dhe emocional, ku Rama vlerësoi përparimin e pjesëmarrjes së grave në jetën politike, vendimmarrëse dhe publike në Shqipëri. Ai vuri në dukje se pjesëmarrja e grave në qeveri, administratë, këshilla bashkiakë dhe sipërmarrje ka shënuar rritje historike gjatë mandateve të Partisë Socialiste.

Rama përmendi se sot:

52% e listës së deputetëve të PS janë gra dhe vajza,

1/3 e drejtuesve politikë të partisë janë gra,

Shqipëria renditet ndër pesë vendet e para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri sipas Kombeve të Bashkuara,

50% e këshillave bashkiakë përbëhen nga gra,

dhe se 38447 gra janë anëtare të PS-së, me objektivin për t’i çuar në 50 mijë.

Deklarata e Ramës për një grua socialiste në krye të qeverisë është edhe një sinjal politik për drejtimin e partisë në të ardhmen dhe për ndërtimin e një Shqipërie më të barabartë gjinore në nivelin më të lartë të qeverisjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit