

Gjykata e Sarandës ka kthyer për hetime dosjen penale ndaj Saimir Kushovës, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, që solli si pasojë vdekjen e shtetases angleze Rebecca Gannon.
Gjykata ka urdhëruar prokurorinë të plotësojë hetimet për Kushovën, për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Saimir Kushova, një zhytës profesionist i cili ndodhet i burgosur në Norvegji për trafik droge, në Sarandë po hetohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” pas vdekjes së një 29-vjeçareje angleze gjatë zhytjes me ekspeditën e tij.
Saimir Kushova, prind i tre fëmijëve, drejtonte në Sarandë ekspeditën “Saranda Diving Center”, një ekspeditë private zhytësish, e angazhuar edhe në nisma sociale në qytet, kryesisht për pastrimin e detit.
Në 19 shtator 2022 në Gjirin e Sarandës, ndërroi jetë teksa zhytej me ekspeditën e Kushovës, 29-vjeçarja britanike Rebecca Gannon. Për ngjarjen Saimir Kushova u arrestua, por u la i lirë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë.
Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “garancia pasurore në vlerën 1.5 milionë lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo javë, ditën e hënë ora 13:00”. Por disa kohë më pas, 47-vjeçari filloi mos ta zbatonte masën e sigurisë çka detyroi Prokuroren Alba Dhima të kërkonte konfiskimin e shumës 1.5 milionë lekë të reja dhe kalimin e saj në favor të shtetit ndërsa ditën e djeshme gjyqtari Fatmir Ndreu e deklaroi të ikur Saimir Kushovën në një seancë të posaçme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd