

Vlorë – Nga një takim elektoral i mbajtur në qytetin e Vlorës, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj çdo grupi kriminal që mund të përfshihet në procesin zgjedhor. Me tone të ashpra dhe gjuhë të fortë, ai e cilësoi manipulimin e votës si një akt që do të trajtohet në të njëjtin nivel me terrorizmin, raporton noa.al.
“Çdo bandit që guxon të implikohet me votat, do të cilësohet grup terrorist, sipas standardeve shqiptare dhe ndërkombëtare,” deklaroi Berisha para mbështetësve të tij, duke shtuar se kushdo që tenton të frikësojë qytetarët do të përballet me pasoja të papërfytyrueshme. Ai solli si shembull një dekret të ish-presidentit amerikan Donald Trump për shpalljen e karteleve të drogës si organizata terroriste, duke theksuar se e njëjta qasje do të ndiqet edhe në Shqipëri në rast të manipulimeve elektorale.
Në një fjalim që përshkoi kufijtë mes retorikës politike dhe betimit moral, Berisha e cilësoi “pastrimin e shtëpisë” si një zotim solemn të opozitës përballë qytetarëve. Ai premtoi se qeveritarët që kanë ndërtuar “parajsat e tyre mbi taksat e shqiptarëve” do të përballen me drejtësinë, ndërsa pasuritë e tyre – të fshehura brenda apo jashtë vendit – do t’u rikthehen qytetarëve.
“Grupet kriminale do të shkëputen nga çdo lidhje politike dhe do të vendosen para ligjit. Do t’u pritet çdo fije që i lidh me pushtetin,” tha ai.
Berisha e përshkroi programin e opozitës si një mision për një “Shqipëri Madhështore”, duke ftuar qytetarët, përfaqësuesit e opozitës dhe të gjithë ata që duan një të ardhme ndryshe, që t’i bashkohen kësaj kauze jo thjesht si votues, por si “misionarë”.
“Misionarë dhe vetëm misionarë duhet të shkojmë në çdo derë, tek çdo shqiptar, socialist apo i pavendosur,” u shpreh ai, duke theksuar se ky është një program për të gjithë ata që duan të jetojnë e të rriten në Shqipëri.
Në përfundim të takimit, Berisha falënderoi qytetarët e Vlorës për mikpritjen dhe entuziazmin, duke e cilësuar qytetin si simbol të fitores dhe rilindjes demokratike.
Në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit, deklaratat e Berishës vijnë si pjesë e një fushate të intensifikuar të opozitës, që duket se po përpiqet të rrisë ndjeshmërinë publike ndaj procesit zgjedhor dhe të mobilizojë sa më shumë mbështetje në terren.
Çfarë deklaroi Berisha sot nga Vlora
"Unë paralajmëroj çdo bandit kudo që ndodhet, se po u implikuat me votat, do të cilësoheni grupe terroriste!
Pastrimi i shtëpisë është një zotim solemn.
Shtëpia do të pastrohet dhe shqiptarët do marrin mbrapsht paratë e vjedhura nga këta qeveritarë.
Këta qeveritarë që ndërtuan parajsat e tyre mbi taksat e shqiptarëve. do përballen me ligjin.
Pronat e tyre do gjenden kudo që janë fshehur, do u kthehen shqiptarëve.
Grupet kriminale me gërshërët e ligjit do u pritet çdo fije me politike dhe do vendosen para ligjit.
Sot nga Vlora paralajmëroj çdo bandit kudo që ndodhet, se po u implikuat me votat, do të cilësoheni grupe terroriste, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Dhe ua them këtu, se një qime u ndan edhe tani. Donald Trump dekretoi shpalljen grupe terroriste të karteleve të drogës.
Ndaj dhe u them bandave nga Shkodra deri në Gjirokastër e kudo që janë, mos guxoni të frikësoni qytetarët se ju jap fjalën e nderit, do shpalleni terroristë ndërkombëtarë, çka do të thotë se do keni ndëshkime që nuk i imagjinoni ju.
Miq, ky është programi i Shqipërisë Madhështore.
Ky program u fton ju, fton çdo opozitare dhe opozitar të bëhet misionar në paraqitjen e këtij programi tek çdo qytetar shqiptar, tek çdo socialist, tek çdo i paparti.
Ky program është për çdo shqiptar që e do këtë vend, që do të jetojë në Shqipëri, që do të prosperojë në Shqipëri.
Por të shkojmë jo si politikanë, jo si zyrtarë, por të shkojmë si misionarë. Si misionarë dhe vetëm si misionarë.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje madhështore.
Për këtë mesazh që i përcillini sot Shqipërisë si Vlora e fitores.
Njisha. Të gjithë jemi njisha…
Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd