

Fier, 16 prill 2025 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qarkun e Fierit, ku shërbimet operacionale të Policisë së Shtetit dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë përballur me një akt dhune gjatë kryerjes së detyrës.
Raportohet se hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Operacionalja janë përplasur me disa njerëz pranë ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj.
Mësohet se oficerë të BKH-së dhe punonjës të forcave operacionale kanë qenë me shërbim dhe kanë ngritur një dron në hyrje të Fierit që ka shkuar pranë bizneseve të ndërtuesit Sh. Kapllanaj.
Punonjësit e biznesit të ndërtimit mësohet se janë përplasur me zyrtarët e BKH-së dhe forcat operacionale. Nga informacionet paraprake mësohet se dëshmitarët kanë thënë se sherri ka nisur për një parkim, pranë bizneseve, ndërsa dikush tjetër ka përmendur edhe ngritjen e një droni.
Në Policinë e Fierit janë shoqëruar pesë persona ndërsa punonjësit e operacionales janë duke bërë kallëzim për sulm për shkak të detyrës. Agron Kapllanaj është një ndër themeluesit e partisë “Djathtas 1912” me kryetar Enkelejd Alibeaj.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 në aksin rrugor Fier–Patos. Gjatë operacionit në terren, efektivët e Forcës së Posaçme Operacionale dhe hetuesit e BKH-së janë goditur nga disa persona të cilët, sipas burimeve zyrtare, janë identifikuar dhe janë shoqëruar menjëherë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndaj tyre po kryhen hetime të plota nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka marrë në dorë të gjitha procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Çfarë tha zyrtarisht policia
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd