Magazinë
Transmetuar më 23-03-2025, 19:34

Që kur ishte 6-muajshe e deri sot që është një vajzë 15-vjeçare, Luiziana nuk e ka njohur babain. Në rrëfimin e saj për “Ka Një Mesazh Për Ty” ajo tregoi si dhuna e përçau familjen e më vonë, ka përjetuar edhe refuzimin e të atit.

Ajo i referohet atij gjithnjë si “prindi tjetër” pasi figurën ia ka zëvendësuar daja, Doriani. Ai është gjendur në çdo ditëlindje të Luizianës, ka bërë të pamundurën për të duke i dhuruar dashurinë mbi të gjitha. Mbesa e ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për t’i shprehur mirënjohjen e saj të pakufishme si dajës, edhe bashkëshortes së tij që e quan dajkla.

“Daja im! I shtrenjti im! Të falënderoj për çdo gjë që ti dhe dajkla keni bërë dhe vazhdoni të bëni për mua! Të falënderoj që gjithmonë me dashurinë tënde je munduar që unë mos ta ndiej mungesën e prindit tjetër. Ti je modeli dhe idhulli im më i madh! Ti je jeta ime! Faleminderit që ekziston! Të premtoj ashtu sesi ti je munduar që unë të rritem dhe të shkollohem, ashtu do të përpiqem edhe unë të të bëj ty krenar!”, tha Luiziana.

I përlotur, Doriani thotë se Luiziana ka kaluar shumë dhe për të, nuk është mbesë por fëmija i tij. “Jam munduar me gjithë shpirt ta kem si fëmijën tim… është fëmija im se kam tre fëmijë dhe është fëmija i katërt”, tha ai.

“Gjyshi as nuk m’u afrua/ E refuzuar nga “prindi tjetër”, mesazhi që i shkatërroi zemrën Luizianës

Përgjatë 15 viteve të jetës së saj, babai ka qenë një figurë e munguar në jetën e Luizianës. Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga ”E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tregoi se dhuna e vazhdueshme e detyroi nënën e saj të largohej nga shtëpia ku banonin në një fshat në Finiq dhe u zhvendosën në Greqi.

Luiziana ishte vetëm 6-muajshe asokohe dhe më pas jeta e saj vijoi në Greqi, derisa u rikthye për të kryer shkollimin. Ajo s’ka pasur asnjë episod takimi me të atin, por kujton sesi kur ishte në klasë të dytë, gjyshja e mori me vete në fshat në një ceremoni varrimi. Nga të gjithë të pranishmit, vetëm njëri nuk iu afrua Luizianës.

Luiziana: Aty takova shumë njerëz se ma dinin historinë, kam jetuar atje. Pastaj një burrë nuk m’u afrua. Dëgjova njerëzit që pëshpërisnin, shiko, nuk i afrohet as vajzës së djalit.

Ardit Gjebrea: Pra ai i bie që të ishte gjyshi yt?

Luiziana: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe nuk t’u afrua?

Luiziana: Nuk m’u afrua. E dëgjova këtë nga njerëzit, shiko, nuk i afrohet as vajzës së djalit dhe më ka ngelur në mendje. Unë tani fytyrën nuk ia mbaj mend atij se kam takuar shumë njerëz atë ditë dhe kujtimet i kam të turbullta, por fjalët nuk më kanë ikur kurrë nga veshi.

Luiziana thotë se dikur e ndiente mungesën e babait dhe kishte pyetje që i lëvrinin në kokë, por tani jo më.

Luiziana: Kur isha në shkollë, edhe e ndieja, kur vinin ndonjëherë që… shiko, daja e nëna janë përpjekur gjithmonë, por kur shikon dikë tjetër që thotë ose i flet ose ai i tregon dashurinë në atë formën e tij, thoja edhe unë “pse?” Pse duhet të më ndodhte mua kjo gjë? E mendoja vazhdimisht këtë gjë. Tani s’para e mendoj shumë, jam mësuar me situatën.

15-vjeçarja ndan edhe një episod të pak kohëve më parë kur pati edhe një kontakt me gjyshin e saj. Ajo kërkoi miratimin ligjor të të atit për të shkuar në Greqi për trajtim mjekësor dhe mori mbrapsht një mesazh të ashpër nga gjyshi.

Luiziana: Unë i kërkoj prokurën këtij, të kaloj në Greqi për probleme stomatologjike,Vitin e Ri të kaluar. Më dërgon mesazhin babai i tij dhe thotë që “do t’i them unë djalit ta hedhë firmën, do të rrish përgjithmonë në Greqi, nuk do kërkosh pensionin e këtyre viteve që nuk të kemi dhënë, nuk do të kesh më asnjë lidhje. Mos të rezultosh më fare’, sikur unë të jem e larguar nga trungu i tij familjar, mos të kem atësi që mos të kem asnjë lidhje me të. Kjo gjë më bëri të ndihesha shumë e mërzitur dhe më ngjalli ndoshta frymë urrejtjeje sepse ishte diçka e rëndë t’i thuash një fëmije që mos të rezultosh fare ti si në trungun tonë familjar. Unë s’u kam bërë asgjë atyre, unë vetëm një prokurë po kërkoja që të kaloja në Greqi. Atë po thoja edhe unë, çfarë mund të bëjë një fëmijë i pafajshëm që nuk e njeh?

Përgjatë gjithë rrëfimit, Luiziana i është referuar gjithnjë të atit si “prindi tjetër”. Por si do të vepronte ajo nëse do ta takonte? Deklarata e saj është thuajse e pabesueshme për t’u dëgjuar nga një 15-vjeçare.

Luiziana: Dikush që të dhunon nënën, dikush që më ka lënduar mua nënën unë nuk kam fare interes ta takoj atë sepse nëse do të ishte lënduar sadopak, ai do të kishte ardhur të më takonte. Ç’rëndësi ka nëse vjen të takon, nëse të dhunon nënën, të dhunon atë që të ka sjellë në jetë? Dhunon njëherë dashurinë e tij të parë sepse ajo vërtet për prindin fëmija është një dashuri, por më përpara është marrëdhënia burrë e grua. Nëse ti i dhunon nënën, ç’rëndësi ka pastaj për fëmijën? Ti fëmijës i dhunon zemrën e tij./tvklan.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit