Magazinë
Transmetuar më 18-03-2025, 11:53

Edoardo Bove ishte i ftuar në podcastin e Gianluca Gazzolit, "Passa dal BSMT". Në bisedën e gjatë që zhvilloi, lojtari i Fiorentinës tregoi se si po i përjeton këto muaj pa futboll, riktheu makthin e arrestit kardiak në fushë dhe u mundua të përvijonte të ardhmen e tij.

"Defibrilatori nuk të lejon të praktikosh një sport të caktuar në nivel garues, por nuk të ndalon të marrësh një certifikatë për këtë nivel. Sipas ligjit italian, të luash me defibrilator nuk është e lejuar, kështu që nëse e mbaj atë, nuk do të mund të luaj futboll në vendin tim. Jashtë Italisë, nëse firmos, e merr vetë përgjegjësinë. Do të më duhet të kryej disa kontrolle të rëndësishme, të cilat do të tregojnë nëse ekziston mundësia për ta hequr atë (defibrilatorin nënlëkuror) dhe çfarë kontrollesh duhet të bëj.

Nuk mbyll asnjë derë. Në fund të fundit, më e rëndësishmja është shëndeti im mendor, sepse nëse nuk ndihem i sigurt pa defibrilatorin, atëherë nuk ka kuptim. Ende nuk kam një diagnozë të qartë dhe kjo më rëndon edhe më shumë, jetoj në pasiguri dhe me ulje-ngritje. Një ditë ndihem mirë, pastaj të nesërmen vjen rezultati i një vizite. Futbolli ka qenë gjithmonë rruga ime.

Tani po filloj të jetoj, mund të thuhet, sepse po përjetoj një jetë krejtësisht ndryshe. Është bukur, sepse kam më shumë liri, por në të njëjtën kohë ndjej se nuk jam më ai Edoardo i mëparshëm. Do të përpiqem të filloj të luaj sërish, ia kam borxh familjes sime dhe sakrificave që kam bërë, por edhe për moshën që kam. Sigurisht, më duhet të kem miratimin e mjekëve".

Edoardo Bove nuk ka kaluar muaj të lehtë, por me kohën ka kuptuar se më e rëndësishmja është që të jetë mirë me shëndet: "Tani ndihem mirë. Sanremo më ndihmoi, kisha nevojë të përjetoja sërish atë ndjesi ankthi që më bën të ndihem gjallë. Jam një person që varet nga adrenalina dhe përjetimi i emocioneve të tilla, të cilat nuk mund t’i kem më në fushë, është i rëndësishëm.

Fiorentina's Edoardo Bove collapses during match against Inter Milan as players left in tears on pitch - Serie A - SPORTbible

Isha i bindur ta tregoja historinë time, edhe pse jam një person i rezervuar, sepse doja të shprehja mbështetjen për ata që e kalojnë të njëjtën situatë të vetëm. Po ia dal të vazhdoj përpara falë dashurisë dhe mbështetjes që kam marrë, nuk mund ta imagjinoj si do të ishte të përballesha me këtë i vetëm.

Njerëzit kur më shikonin kishin një vështrim keqardhjeje. Në fillim më bezdiste, por nuk mund t’i fajësoja. Më vonë kuptova sa shumë ishin trembur njerëzit dhe sa të lumtur ishin që më shihnin mirë. Aty kuptova seriozitetin e asaj që ndodhi. Kur u zgjova në spital, nuk e kuptoja çfarë kishte ndodhur dhe doja të shihja momentin kur humba ndjenjat.

Fillimisht, pamjet nuk më shqetësuan, por pasi i pashë pas ca kohe, ishte sikur të kthehesha pas dhe kjo më trondit. Kam ndjesinë se më bëjnë të bëj një hap pas në procesin tim të rikuperimit, edhe në aspektin mendor. Më vijnë në mendje pyetje të çuditshme: pse pikërisht mua? Pse të tjerët mund të luajnë dhe unë jo? E kam kuptuar që kam qenë shumë me fat, prandaj ndonjëherë ndihem fajtor kur më vijnë në mendje këto pyetje".

Futbollisti italian kthen pas kujtimet e ndeshjes Fiorentina-Inter, ku pësoi arrest kardiak, edhe pse ato mbeten të turbullta për Bove: "Mbaj mend vetëm çerekun e parë të lojës dhe momentin kur Lautaro shënoi, por më pas, kur goli u anulua, unë tashmë po ndjeja një marramendje, edhe pse zemra më rrihte normalisht.

Në atë moment u përkula pak dhe kur u ngrita përsëri, rashë. Nuk kam ndier asgjë në kraharor. U zgjova në spital pa mbajtur mend asgjë. Më thanë se në ambulancë isha shumë i shqetësuar, sikur isha i tërbuar, por nuk mbaj mend asgjë. Është e pabesueshme se si truri ynë zgjedh çfarë të kujtojë e çfarë jo.

Ndodhesha në vendin e duhur, në momentin e duhur. Mjekët më thanë se mund të më kishte ndodhur kudo, në çdo moment. Këto janë ato dinamika që më bëjnë të kuptoj sa me fat kam qenë. Mjekët më sugjeruan menjëherë që gjëja më e mirë do të ishte të implantoja këtë pajisje shpëtuese, duke më dhënë shumë garanci. Tani po mësohem të bashkëjetoj me të. Kur fle në një pozicion të caktuar ose kur bëj disa lëvizje, e ndjej. Në aeroport më lejon të kem një kalim të shpejtë (qesh).

Të gjithë jemi të varur nga ata që na rrethojnë. Nëse i ndodh dikujt në rrugë dhe pranë tij është dikush që di të japë ndihmën e parë, ai person mund të shpëtohet. Defibrilatorët janë jashtëzakonisht të rëndësishëm".

Bove kaloi javë të vështira, veçanërisht në fillim: "Idea e lënies së futbollit për mua është e paimagjinueshme. Jeta ime ka qenë gjithmonë e lidhur me këtë sport. E di kush është Edoardo me futbollin, por pa të… Kam frikë ta zbuloj, kam frikë se ai version i imi nuk do të më pëlqejë mua ose familjarëve të mi.

Ata kanë vuajtur shumë gjatë kësaj periudhe, ndihesha i pafuqishëm, shoh ende tek ata shenjat e asaj që ndodhi. Edhe shokët e mi të skuadrës përjetuan diçka që nuk do ta harrojnë kurrë. Skuadra filloi të humbiste ndeshje, por kjo është normale, sepse ngjarje të tilla mbeten në mendje. Kur u ktheva në ‘Viola Park’ ndjeva shumë trishtim, sepse doja të isha atje si më parë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit