Magazinë
Transmetuar më 17-03-2025, 22:03

Maqedoni e Veriut, 17 mars 2025 – Maqedonia e Veriut dhe mbarë rajoni janë tronditur nga tragjedia që ndodhi në orët e para të datës 16 mars, kur një zjarr shpërtheu brenda diskotekës "Puls" në Koçan, duke lënë pas 59 viktima dhe 155 të plagosur. Familjarët e disa prej viktimave dhe të plagosurve kanë shpërthyer në lot dhe dhimbje, duke folur për këtë ngjarje tragjike në një intervistë ekskluzive për Top Story.

Ata kanë theksuar se asnjë dënim nuk mund të kompensojë këtë tragjedi, dhe ndjenjat e tyre janë të papërshkrueshme.

Dëshmitë e familjarëve:

Një baba nga Serbia tha: "Kam humbur djalin e shokut dhe jam nga Serbia, kam ardhur këtu për t’i ardhur në ndihmë shokut. Ende janë duke bërë analiza për të përcaktuar kush është djali, ende nuk e dimë gjendjen. Djali i shokut është 24 vjeç, ka qenë me të dashurën e tij dhe ata humbën jetën të dy atje."

Një tjetër familjar tha: "Humbëm djalin 24 vjeç. Po organizojmë protesta me familjarët e të humburve në Koçan."

Një grua tjetër tregoi: "Kemi nipin e humbur në këtë fatkeqësi. Nipi ishte 21 vjeç, ka qenë në punë, ka punuar dje kamarier. Nuk di çfarë të them ju lutem mos më pyesni më se nuk mund të përgjigjem."

Një tjetër dëshmitar, i cili humbi miqtë dhe të afërmit tha: "Kjo është një tragjedi e madhe, një dhimbje e madhe. Nuk mund të përmbahem, është një katastrofë. Nuk ka fjalë që mund të japin shpresë. Fëmijët nuk do të shkojnë më në shkollë, dhe nuk e di si do të funksionojnë jetët e tyre. Unë erdha për terapi personale këtu dhe për fat të keq u ndjeva shumë keq. Nuk besoj se do të ketë drejtësi. Njoh shumë njerëz që kanë humbur jetën dhe djali ku punon burri im ka vdekur. Ai studionte në Bullgari dhe ishte vitin e dytë në fakultet, 22 vjeç. E morëm lajmin e humbjes së tij, dje ishte në spitalin e Koçanit dhe sot e morëm lajmin që ka humbur jetën."

Një nënë që humbi djalin tha, me lot në sy: "Ky është djali im, që për tre ditë do të bënte 25 vjeç, kishte ditëlindjen më 19 mars. Çfarë të ndjej? Kjo nuk paguhet, nuk mund të kthehet. Këto ndjenja janë katastrofike. Familja ime është me ndjenja katastrofike. Djali im ka qenë për qejf, dhe qejfi iu kthye në katastrofë me djegien e lokalit. Djali im me shokun e tij, duke ndihmuar të tjerët, humbën jetën. Drejtësi nuk ka, kush do ma kthejë djalin? Kush do ma kthejë shokun e tij dhe të tjerët që humbën jetën? Drejtësi, drejtësi, por nuk ka drejtësi. Të rinjtë vdiqën për shkak se nuk ka drejtësi për arsye të parasë, që biletat shiten në të zezë dhe kjo ndodh. Këta nuk e meritojnë këtë. Kjo është më keq se të vritesh me pistoletë. Me pistoletë mund të të gjuajnë në ballë, por kjo është një krim më i rëndë. Këtu nuk ka dënim që mund të ndihmojë. Ky është një krim i rëndë. Djalin tim e mori një katastrofë. Ai kishte ëndrra, studioi informatikë, punoi për një kompani ndërkombëtare dhe ka dashur të bëhet më i madh. Gjithçka mbaroi për të dhe për ne si familje."

Ky incident ka tronditur të gjithë komunitetin në Maqedoninë e Veriut dhe ka hapur një debat të gjerë për sigurinë nëpër lokale dhe për përgjegjësitë e organizatorëve. Pavarësisht dhimbjes së madhe, familjarët kërkojnë drejtësi dhe dënojnë sistemin që lejon që tragjedi të tilla të ndodhin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit