Magazinë
Transmetuar më 16-03-2025, 10:53

Koçan, Maqedonia e Veriut – Pas tragjedisë së rëndë në diskotekën "Puls", ku humbën jetën dhjetëra të rinj dhe mbi 100 persona u plagosën, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka bërë një deklaratë të fortë, duke theksuar se kjo nuk është thjesht një tragjedi, por një alarm që kërkon përgjegjësi.

"Nuk ka fjalë për këtë dhimbje… por patjetër duhet të ketë drejtësi! Dhjetëra të rinj humbën jetën në një zjarr që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Kjo nuk është vetëm një tragjedi – kjo është një alarm që kërkon përgjegjësi!", – ka deklaruar Fillkov.

Ai siguroi qytetarët se hetimet do të jenë të plota dhe të pandikuara, duke garantuar që kushdo që ka dështuar në respektimin e rregullave të sigurisë, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

"Do të ketë hetim, do të ketë përgjegjësi, do të ketë drejtësi! Kushdo që ka dështuar – do të mbajë përgjegjësi! Kjo nuk duhet të përsëritet më kurrë!" – u shpreh ai, duke shprehur edhe ngushëllimet për viktimat e kësaj tragjedie: "U prehshin në paqe këta shpirtra të rinj."

Ndërkohë, autoritetet janë duke vazhduar hetimet, me arrestime të para për mosrespektim të masave të sigurisë dhe përdorimin e mjeteve piroteknike në ambiente të mbyllura, që dyshohet të ketë shkaktuar zjarrin fatal. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit