Magazinë
Transmetuar më 14-03-2025, 19:52

Partia Demokratike ka kërkuar dy orë leje për protestën e ditës së nesërme kundër mbylljes së TikTok.

Mësohet se opozita ka kërkuar leje nga ora 19:00 deri në orën 21:00 në tubimin që kreu i PD, Sali Berisha njoftoi menjëherë pas vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij rrjeti social.

Sipas shkresës dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, PD ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.

Ndërkohë policia ka bërë gati edhe planin e masave për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ku do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.

Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë.

Berisha bën thirrje për pjesëmarrje në protestë

Kreu i PD-së, Sali Berisha ftoi sot qytetarët qe te marrin pjese në protestën e nesërme kundër mbylljes së TikTok. Berisha shprehet se mbyllja e aplikacionit është një akt censure nga qeveria.

“Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër censurës. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët. Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë. Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit. Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet”, tha Berisha.

Berisha garantoi nxënësit dhe të rinjtë se në datë 12 maj do ta kenë sërish TikTok në telefonin e tyre.

“Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkohet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij. Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria. Veçanërisht të rinjtë. Kjo është protesta juaj. Nesër fjala do jetë e juaja. Nesër fjala e lirë do u ketë ju kalorësit mbrojtës të saj. Ndaj dhe të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre në kërkesën që kanë”, tha Berisha.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi se TikTok do të mbyllej si një masë të nevojshme për sigurinë e fëmijëve. Ky vendim u kundërshtua nga opozita, e cila tha se mbyllja vjen vetëm 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit