Magazinë
Transmetuar më 10-03-2025, 11:51

Sipas njoftimit të Aleancës, Mark Rutte, gjatë kësaj vizite në Bosnjë dhe Kosovë, shoqërohet nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, si dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

BOSNJE- Kreu i NATO-s, Mark Rutte fillon të hënën një vizitë në Ballkan. Stacioni i parë Bosnje-Hercegovinë, nesër ai qëndron në Kosovë. Para vizitës Rutte ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkan. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte të martën (11.03) pritet të vizitojë Kosovën, ndërsa gjatë ditës së hënë (10.03) ai qëndron në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo është vizita e parë e Mark Rutte-s në Kosovë që nga marrja e postit të shefit të NATO-s.

Sipas njoftimit të Aleancës, Mark Rutte, gjatë kësaj vizite në Bosnjë dhe Kosovë, shoqërohet nga zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, si dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Para kësaj vizite, shefi i NATO-s ka deklaruar se "stabiliteti në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi është çështje e rëndësishme”, duke shtuar se "nuk sheh arsye për të dyshuar nëse do të ketë ndonjë ndryshim të theksuar në angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Aleancën Veri-Atlantike, NATO”.

Vizita e Ruttes në kohë tensionesh në Bosnje-Hercegovinë

Sipas njoftimit të NATO-s, gjatë vizitës në Bosnjë-Hercegovinë, Mark Rutte do të takojë zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë kryesuesin dhe anëtarët e Presidencës, kryetarin e Këshillit të Ministrave, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin në detyrë të Sigurisë. Vizita e shefit të NATO-s në Bosnjë zhvillohet në një periudhë tensioni në këtë shtet, pasi presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, më 5 mars nënshkroi dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës. Me këto ligje ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS). Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare.

Pas Bosnjë-Hercegovinës, shefi i NATO-s, Mark Rutte, viziton Kosovën. Në Prishtinë, sipas njoftimit nga zyra e tij, ai do të zhvillojë takime bilaterale me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Rutte do të takojë gjithashtu shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, shefin e misionit EULEX, komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giovanni Barbano, shefen e UNMIK-ut dhe atë të misionit të OSBE-së.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovë, i cili shoqërohet nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, ndodh vetëm pak ditë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve dhe në pritje të krijimit të qeverisë së re të vendit./DW

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit