Transmetuar më 26-03-2025, 22:37

Serbia e ka konsideruar “akt armiqësor” njohjen e Kosovës nga Kenia, dhe ndaj kësaj ka paralajmëruar se do t’i marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike”.

Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë në një reagim.

Serbia u ankua se me këtë veprim, Kenia “e ka shkelur edhe Kartën e OKB-së”.

Kjo njohje, sipas MPJ-së së Serbisë “minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar”.

Serbisë i ka bërë përshtypje edhe fakti që Kenia i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si “të pabazuar”.

Në reagim u tha se vendimi i Kenias do të ndikojë në marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Serbia pretendon se në 8 vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë” së Kosovës, dhe se “vetëm dy shtete të reja kanë marrë vendim për njohje”.

“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë”, thuhet në reagim.

Në deklaratë thuhet se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj kundër Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare.

“Serbia mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, thuhet në fund të këtij reagimi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit