Magazinë
Transmetuar më 06-03-2025, 12:45

Tiranë, 6 mars 2025- Qeveria kërkon mbylljen e aksesit të TikTok në Shqipëri për 12 muaj.

Qeveria shqiptare ka kërkuar mbylljen e përkohshme të aksesit në platformën TikTok për një periudhë 12 muajsh. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastriliu, pas mbledhjes së qeverisë, ka shpallur këtë vendim, duke theksuar se janë nisur komunikime me përfaqësuesit e TikTok për të siguruar vendosjen e filtrave që do të parandalojnë promovimin e sjelljeve negative në këtë platformë.

Në një deklaratë të saj, Manastriliu tha: "Kemi zhvilluar një seri konsultimesh me prindërit për efektet negative që mund të sjellin rrjetet sociale, veçanërisht TikTok, tek fëmijët. Pas analizës së bërë për ndikimin që kanë këto platforma në shëndetin e fëmijëve dhe raste të dhunës fizike, kemi rekomanduar mbylljen e aksesit në TikTok për një periudhë 12 mujore, për të mundësuar masat parandaluese."

Kjo masë e përkohshme ka si qëllim të japë kohë për miratimin e rregullave të reja dhe për zbatimin e filtrave të sigurisë. Manastriliu theksoi gjithashtu se Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike do të merret me ndërprerjen e përkohshme të aksesit në TikTok në ditët në vijim.

Vendimi ka ardhur pas një muaji konsultimesh të zhvilluara me zyrtarët e arsimit dhe prindërit, për të shqyrtuar ndikimet e mundshme negative të platformave sociale, sidomos TikTok, mbi shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Kryeministri Edi Rama, i cili ka mbështetur këtë iniciativë, ka theksuar se gjatë periudhës së mbylljes do të vëzhgohet mënyra se si veprojnë vendet e tjera dhe mundësia për të vendosur filtra në këtë rrjet social.

Përveç mbylljes së TikTok, kjo masë do të shoqërohet edhe me një përforcim të sigurisë në shkolla, duke përfshirë vendosjen e kamerave dhe rregullore të reja për përdorimin e telefonave celularë gjatë orëve mësimore. Po ashtu, numri i oficerëve të sigurisë në shkolla do të dyfishohet dhe do të forcohen lidhjet mes shkollave dhe policisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit