Magazinë
Transmetuar më 04-03-2025, 22:56

Situata e fermerëve në juglindje të vendit është më shumë se e trishtë. Të gjitha pemët e mollëve janë prerë dhe askush nuk ka më dëshirë e forcë për të vijuar këtë punë.

Fshati Zvirine i bashkisë së Maliqit njihet gjerësisht për prodhimin e mollës. Nga familja Nurka prej 3 brezash janë marrë me prodhimin e mollës. Së fundmi vendimi është drastik, për të prerë gjithë pemët pasi prodhimi prej 3-4 vitesh nuk shitet.

Pemët e mollëve që sot po shkulen nga toka, janë të mbjella vitet e fundit. Gjithçka çfarë anëtarët e familjes Nurka mblodhën në emigracion, i hodhën në këto toka, por situata aktuale me tregun e ka detyruar Skënderin të heqë dorë nga trashëgimia familjare.

“Nuk shkojnë, nuk ka çmim pesticidet katastrofë, molla nuk shkon. E pres, të pres kokën? Djalin nuk e kam, çupen jo, 65 vjet pension, ngeli prodhimi, kam akoma mollë për të shitur. Mollë cilësorë, e gjithë Shqipëria kështu është. Të lot truri i kokës. Kam edhe bahçen tjetër, gjersa të iki e unë gjëkundi. Nuk rrihet këtu”, thotë fermeri.

Keqardhja për një investim që është derdhur mund e djersë është tepër e madhe.

“Si s’të vjen keq? Të këputet shpirti. Jemi rritur me këtë punë. Agronomi mbarova, ne ’79, me këtë jam ushqyer unë, babi e djali. Djali iku në Itali, ka 3 vjet. Çfarë faji kemi ne, faj kanë ata që na rropën se gjalli”, shprehet ai.

Prerja e mollëve vijon edhe në zonën e Devollit, aty ku fermerët po heqin dorë nga drufrutorët, pasi mungon tregu për shitje, dëmtohen nga konkurrenca e pandershme dhe kryesorja, nga mallrat e importit. Në fushën e Maliqit dhe të Devollit numërohen afro 35 ha tokë e mbjellë me drufrutorë, të cilët janë prerë nga fermerët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit