Magazinë
Transmetuar më 22-02-2025, 00:09

Tuneli i Murrizit hapet më 14 mars, lidhja mes Tiranës dhe Dibrës bëhet më e shpejtë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në tunelin e Murrizit, njoftoi se qarkullimi i automjeteve do të nisë më 14 mars.

"Ne do të hapim tunelin e Murrizit për të gjitha automjetet dhe drejtuesit e mjeteve në drejtim të Tiranës dhe Dibrës. Ndërkohë, vazhdojmë të punojmë me tunelin ndihmës, i cili është pjesë e këtij projekti," deklaroi Balluku.

Kjo është data e radhës që jep Qeveria. Prej disa vitesh ajo ka shpallur hapjen e tunelit, por siç ka thënë kryeministri, ka pasur të papritura teknike të shumta dhe të rënda.

Vitin e kaluar Rama shpalli data të tjera, më e fundit ajo në dhjetor.

Tuneli, me një gjatësi prej 3.7 km, do të ketë 11 dalje, të cilat janë betonuar plotësisht dhe janë gati për shfrytëzim. Një pjesë e tyre do të shërbejë për automjetet, ndërsa pjesa tjetër për këmbësorët.

Balluku e cilësoi këtë si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore, që do të ndërlidhë Jugun me Veriun e Shqipërisë.

“Rruga e Arbrit jo vetëm që do të afrojë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit,” theksoi Balluku.

Aktualisht punimet janë në detajet e fundit, që kanë të bëjnë me sistemin e ndriçimit dhe pajisjet e elektromekanike.

Në hyrje të tunelit do të jetë edhe salla e kontrollit që do të monitorojë tunelin gjatë 24 orëve, jo vetëm për aksidentet e mundshme, por edhe për kontrollin e pajisjeve për pastrimin e ajrit, kundër zjarrit etj.

Drejtori i ARRSH tha, gjithashtu, se "rruga prej 69 km në total, është e gjitha e përfunduar". Sipas tij, "disa cedime të vogla janë riparuar, ndërkohë që sinjalistika është përfunduar".

Punimet në Rrugën e Arbrit, 69 km që përfshin kontrata e koncesionit, kanë nisur në fillim të vitit 2018.

Punimet në Tunelin e Murrizit u ndërprenë në maj 2019, pas një shembje të ndodhur në hyrjen nga ana e Tiranës, për të rifilluar disa muaj më vonë në një galeri të re.

Afatet e përfundimit të tuneli, rrjedhimisht edhe gjithë gjatësisë së rrugës, janë shtyrë disa herë. Puna ka ecur ngadalë dhe vetëm në fund të dhjetorit 2023, u bë e mundur që të bashkoheshin dy anët e tunelit.

Tuneli i Murrizit është i gjatë 3.8 km dhe do të jetë i përshkueshëm për 5-7 minuta, gjë që do të lehtësojë shumë qarkullimi drejt qarkut të Dibrës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e kthyer këtë aks në një arterie të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në rajon. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit