

Përditësim i drejtpërdrejtë
13:38 – Plagoset një protestues pranë Ministrisë së Arsimit. Kjo ka pasur skena dhune, protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Ndërsa disa protestues kanë hedhur shishka molotovë në drejtim të efektivëve, policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion nga autobotët. Në terren shihet se policia është duke përdorur edhe shpërqendrues, si dhe sprajt paralizues.
13:34 – Rriten tensionet te Ministria e Arsimit, disa protestues hedhin shishka që policia i quan molotovë. Tregohet energjike policia, lëshon ujë me presion me autobotin e blinduar.
13:19 – Sërish precipitim në Durrës, disa protestues hedhin kapsolla në qendër të qytetit.
Protesta ka vijuar me tensione, ndërsa grupi i protestuesve të mbetur në sheshin kryesor të qytetit është vënë sërish në lëvizje.
Noa.al raporton se disa protestues kanë hedhur kapsolla në qendër të qytetit dhe më pas janë nisur përgjatë bulevardit “Dyrrah”, në drejtim të Pallatit të Sportit.
13:00 – Ka incidente në Durrës. Një grup gjimnazistësh dhe studentësh që ishin mbledhur para bashkisë Durrës po thonë se janë në ditën e tyre të tretë të protestës.
Në një moment ka nosur konfrontimi. Nën thirrjet Rama ik, disa pjesëmarrës hodhën gurë në drejtim të bashkisë së qytetit. Disa të tjerë i vunë flakën disa kazanëve për mbeturinave. Po ashtu janë shkulur dhe dëmtuar disa kangjella hekuri dekorative.
Protesta u shndërrua në marshim dhe të rinjtë u afruan te Posta Shqiptare duke thyer xhamat e saj. Më tej u drejtuan për të drejtoria e policisë Durrës. Këtu u bllokuan nga forca policore që nisën reagimin pengues.
Momentalisht ka nisur aksion policor dhe po arrestohen forcërisht disa protestues.
12:58 – Përshkallëzohet situata te ministria e Arsimit. Protestuesit po hedhin gurë drejt policisë. Nis reagimi policor kundër qytetarëve në protestë. Makina e ujit me presion është afruar për të shënjestruar pjesëmarrësit.
12:56 – Ka tension te ministria e Arsimit, studentët vënë zjarrin te koshat e mbeturinave. Policia gjendet pranë por nuk ka ndërhyrë. Noa.al raporton nga ministria e Arsimit se asnjë student apo protestues tjetër nuk po hedh sende të forta në drejtim të policisë.
12:23 – ‘Nuk ikim’, protestuesit djegin simbolikisht valixhen pranë Ministrisë së Arsimit
12:14 – Tensione në Durrës/ Të rinjtë djegin kosha mbeturinash dhe shkatërrojnë sinjalistikën rrugore, disa të arrestuar
12:10 – Policia e Tiranës vazhdon punën, njofton arrestime të reja dhe dhjetëra të proceduar penalisht
12:09 – Tensione në protestën për Muzeun Hebraik në Vlorë: Protestuesit tentojnë të hyjnë me forcë
12:07 – 16-vjeçari u drejtohet efektivëve të policisë: Mos na dhunoni, dua të protestoj për të ardhmen time
12:08 – Protesta para Ministrisë së Arsimit: Qytetarët kërkojnë ndëshkimin e policit që përplasi të riun në tokë
12:07 – Precipiton situatë edhe në Vlorë. Policia shoqëron me forcë adoleshentët në Vlorë, mes tyre edhe 15 dhe 16-vjeçarë
12:02 – Precipiton situata në Elbasan, studentët i vënë flakën kontenierëve të mbeturinave, hedhin gurë nëpër rrugë.
11:59 – Një protestues hipën mbi murin e Ministrisë së Arsimit dhe vendos aty flamurin autokton shqiptar.
11:57 – Nis protestë studentore dhe qytetare edhe në Korçë. Qindra të rinj dhe të tjerë po marshojnë në rrugët e qytetit, nuk ka incidente.
11:54 – Ka nisur në Elbasan protesta e rinisë, bashkohen edhe qytetarë. Qindra njerëz po marshojnë në rrugët e qytetit duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Nuk raportohet për incidente.
Protesta studentore hyn në ditën e pestë, tubim kombëtar në Tiranë, ujëhedhëset dhe policia në gatishmëri

Protesta studentore hyn këtë të shtunë në ditën e pestë, me tubimin e radhës të paralajmëruar të nisë në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Pasi kanë kaluar 20 minuta nga ora e caktuar, nga Rruga e Durrësit, studentët kanë nisur të mblidhen për të marshuar më pas drejt godinës së Ministrisë së Arsimit.
Protesta e sotme është paralajmëruar si një tubim gjithëpërfshirës kombëtar. Përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritet të marrin pjesë edhe qytetarë, si dhe përfaqësues nga diaspora.
Momentalisht situata pranë Ministrisë së Arsimit paraqitet e qetë.
Në zonë janë pozicionuar automjete ujëhedhëse, ndërsa forcat e Policisë qëndrojnë pas godinës së ministrisë. Pritet që, me afrimin e protestuesve, të krijohet kordoni i sigurisë, siç ka ndodhur edhe në ditët e mëparshme të tubimeve.
Studentët pritet të mblidhen fillimisht nga të katër anët dhe më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, ku pritet të bashkohen grupet e ndryshme të protestuesve.
Dita e pestë e protestës pritet të tregojë edhe shkallën e pjesëmarrjes në thirrjen për një tubim kombëtar, ndërsa policia vijon të qëndrojë në gatishmëri për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






