

Trazirat e mbrëmjes së të shtunës në qendër të Tiranës kanë prekur edhe objektet e kultit, duke krijuar përplasje e tension pranë xhamisë historike "Et’hem Beu" në Sheshin "Skënderbej".
Sipas dëshmive të besimtarëve të pranishëm, dhjetëra efektivë të policisë kanë hyrë brenda ambienteve të xhamisë pikërisht në momentin kur po përgatitej falja e namazit. Qytetarët denoncuan se gjatë kësaj ndërhyrjeje uniformat blu kanë përdorur shkopinj gome, spraj dhe gaz lotsjellës brenda objektit të kultit, duke ndërprerë ritet fetare dhe duke shkaktuar panik e shqetësim të madh.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive, një prej besimtarëve u bëri thirrje autoriteteve policore të respektojnë institucionet fetare dhe të mos kalojnë kufijtë gjatë veprimeve të tyre në terren.
"Duhet të ketë limit, të mos futen brenda xhamisë. Sa u thirr ezani dhe po nisnim të faleshim, kur policia erdhi brenda dhe ushtroi dhunë ndaj besimtarëve me shkopinj gome. Hodhën edhe gaz lotsjellës e spraj ndaj besimtarëve," deklaroi ai.
Kjo ngjarje e shton më tej bilancin e tensioneve të kësaj të shtune, ndërsa situata në zonën qendrore të kryeqytetit mbetet mjaft e brishtë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






