

TIRANË — Qytetarë dhe familjarë të protestuesve janë mbledhur sërish përballë godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku i janë drejtuar me tone të ashpra efektivëve të policisë duke kërkuar përgjegjësi ligjore dhe ndëshkim për efektivin që përplasi një të ri në asfalt gjatë protestave të një dite më parë.
Gjatë tubimit, një nga qytetarët e pranishëm u shpreh publikisht i indinjuar për veprimet e policisë, duke denoncuar se mes të ndaluarve ka edhe të afërm të tij, ndërsa kërkoi sqarime për drejtuesit e forcave të rendit.
Lidhur me ngjarjen e së premtes dhe veprimet e policisë, qytetari deklaroi:
"Ku është komandanti? Kemi nipërit nëpër burgje. Ka mashtruar njerëzit. Ku është komandanti? Po dalim me fytyrë, mund të na heqin nga puna. Nuk do bëj asgjë. S’jam as protestues, asgjë. Jam i indinjuar. Kam një njeri që është rrëmbyer nga policia. Unë flas për djalin që u hodh në rrugë. Personi që e bëri ishte komandant. Të afërmit tim shyqyr Zotit nuk i kanë bërë asgjë. Por ajo që pamë dje është e tmerrshme. Ajo s’duhet të ndodhë."
Një tjetër protestues i pranishëm në shesh iu drejtua drejtpërdrejt efektivëve në kordonin e sigurisë, duke i akuzuar forcat e rendit se po përdorin forcë të tepruar ndaj të rinjve.
Lidhur me ndëshkimin e përgjegjësve, protestuesi u shpreh:
"Duhet të dënohet polici që përplasi të riun në tokë. Mos na dhunoni fëmijët, mos i prekni. Po mbroni hajdutët."
Tubimet masive të gjimnazistëve dhe studentëve në Tiranë dhe në qytete të tjera kanë hyrë sot në ditën e pestë me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






