

TIRANË — Deputetja Marjana Koçeku ka shprehur sot mbështetjen e saj të plotë për protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke e cilësuar atë si një shprehje jetike dhe domosdoshmëri për demokracinë në vend.
Nga protesta, Koçeku hodhi poshtë pretendimet se tubimet po dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se problemet reale që cenojnë imazhin e vendit janë korrupsioni dhe mungesa e demokracisë.
Sipas deputetes, edhe vetë Partia Socialiste, si forcë politike në pushtet, ka nevojë për reformim, një dialog më të shëndetshëm dhe më shumë zëra kritikë që të mbështesin të drejtën e rinisë për të protestuar.
"Unë asnjë kritikë nuk e marr personale. E mbështes këtë protestë. Është domosdoshmëri për demokracinë tonë. Po ndodh në atë frymë, pasi është paralajmëruar pas katër muajsh protestash paqësore.
Akuzat se kjo protestë po dëmton imazhin e Shqipërisë, nuk jam dakord. Partitë politike në Shqipëri kanë nevojë për reformim të thellë. PS-ja ka nevojë për dialog të shëndetshëm dhe ka nevojë për zëra kritikë që e mbështesin këtë protestë.
O sot, o kurrë! E dënoj dhunën policore, është kundër të drejtave të njeriut. Aq më tepër kur bëhet fjalë për civilët, veprimet e tyre dhe mungesën e mjeteve të identifikimit. Mbështes këtë protestë të rinisë."
Koçeku dënoi me forcë veprimet e efektivëve civilë të policisë pa mjete identifikimi, duke e cilësuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve si shkelje të të drejtave të njeriut.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






